Një 23-vjeçar shqiptar i quajtur Kledian Leka, i cili jeton në Casalmaggiore (Cremona), është i pari i diplomuar i verbër në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Parmës.
23-vjeçari ka përfunduar me sukses kursin trevjeçar me një disertacion me vlerësimin 110, të titulluar "Metodologjia e Kompjuterizuar në Mësim. Strategjitë dhe mjetet për qasjen e studentëve me aftësi të kufizuara të pamjes".
"Disertacioni im mund të jetë një guidë për të ndihmuar të rinjtë me dëmtime të plota ose të pjesshme të shikimit. Nuk ekzistonin materiale mësimore për nxënësit e verbër, kështu që nisa të përkthej dhe konvertoj në braille të gjitha dokumentet tradicionale, në mënyrë që ato të ishin edhe të lexueshme për ne të verbrit”, ka thënë ai për edicionin milanez të Corriere della Sera.
Klediani, u dha një pyetësor nxënësve të tjerë të verbër, në të cilin u kërkonte të tregonin propozimet dhe mbi të gjitha pengesat që ata kishin. Përmbledhja e përgjigjeve u përfshi në tezë. Gjatë rrugës ai takoi studentë, të cilët pas disa muajsh vendosën të largoheshin të dekurajuar nga vështirësitë dhe tani, falë angazhimit të tij kanë shpresa më konkrete për të ecur përpara.
“Nga sot Universiteti i Parmës dhe ndoshta universitete të tjera, do të kenë një pikënisje me të cilën do të krahasohen dhe nga e cila do të marrin frymëzim për të përmirësuar aksesin”, ka treguar ai.
Klediani, i cili humbi shikimin në moshën 11-vjeçare si pasojë e një aksidenti, tani është programues i një kompanie shumëkombëshe.
“Vazhdova të punoja, nga ora 08:00 deri në 13:00. Pastaj, nga ora 14:00 deri në 20:00 u angazhova për të studiuar. Nuk kam menduar kurrë të ndalem dhe të ndjej keqardhje për veten time dhe vendosa të luftoj për të realizuar të gjitha ëndrrat e mia”.
Ai u diplomua si ekspert IT me nota të larta. Deri në vitin 2020 bashkëpunoi me Muzeun Bijou të Casalmaggiore për të krijuar itinerare prekëse. Tani ai është i regjistruar në regjistrin kombëtar të mësuesve të IT dhe është kualifikuar për të trajnuar studentë të verbër. Ai gjithashtu drejton një blog të quajtur Çelësi i aksesueshmërisë.