Kur nuk dini ç’të bëni me ditën tuaj, shëtitja është gjithmonë një alternativë e mirë. Mund të bëni 10,000 hapa, stërvitjen 12-3-30 ose thjesht një shëtitje. Cilado qoftë, do t’ju japë një dozë të mirë endrofine.

TikTok, disa njerëz po ecin mbi 16 kilometra, duke u kthyer kështu në tendencën më të re: HOT GIRL WALK.

Në një video virale, krijuesja @servedbysara ndau ecjen e saj të gjatë prej 22 kilometrash. Në një video tjetër, shkoi në një udhëtim 25 kilometra nga një liqen në një tjetër dhe eci 16 kilometra vetëm për të pirë një kafe.

Për këdo që ka vështirësi të bëjë 10,000 hapa në ditë, këto ecje të gjata mund të duken të paarritshme, por nuk janë. Madje, as torturuese.

Sara nuk është e vetmja që ecën në distanca të gjata në TikTok, por edhe Emily Solar,  e cila del për ecje një ose dy herë në muaj si një sfidë me veten. Ajo përmend se nuk ka një rutinë stërvitore, kështu që shëtitjet në distanca të gjata janë bërë mënyra e saj e preferuar për të vënë trupin në lëvizje.

Përfitimet e ecjes në distanca të gjata

Të gjithë bien dakord që ecja në distancë të gjatë është një sfidë argëtuese dhe një mënyrë aventureske për të ushtruar. Edhe instruktorët pajtohen me këtë.

Alayna Curry, instruktore palestre për gratë, e certifikuar nga NASM, tha se një person mesatar ecën rreth 3 kilometra në ditë, kështu që 22 kilometra është relativisht shumë.

Ajo thotë se ecja në distancë të gjatë, veçanërisht në natyrë, nuk i bën mirë vetëm shëndetit fizik, por edhe shëndetit mendor. Shëtitja për 22 kilometra do të zgjasë rreth gjashtë orë, kështu që është një mënyrë e mirë për t’u larguar nga ekranet, stresi dhe shpërqendrimet e tjera, duke ju dhënë hapësirë të qetësoheni, të meditoni, të dëgjoni muzikë ose një podcast ndërkohë që jeni në lëvizje.

Në varësi të shpejtësisë që ecni dhe sa kodra do të ngjisni, një shëtitje në distancë të gjatë llogaritet si kardio. Është një zgjedhje ideale për ata që duan të shohin disa nga përfitimet që vijnë nga ecja e shpejtë, si përmirësimi i rezistencës dhe këmbë më të forta.

Curry rekomandon të planifikoni rrugën që do të bëni, kontrolloni motin, hani një vakt të bollshëm para se të niseni dhe të merrni me vete disa ushqime te lehta. Nëse ecni në rrugë të shtruar dhe të sheshtë merrni atlete të përshtatshme dhe të rehatshme me mbështetje. Nëse  ecni në shteg të paasfaltuar me lartësi, rekomandon çizme apostafat për ngjitje.

Është 20 kilometra shumë larg?

Një ecje prej 20 kilometrash është e barabartë me një gjysmë maratonë, kështu që edhe pse nuk jeni duke vrapuar, mbetet një distancë e madhe dhe sipas Curry-t, mund të dëmtojë shumë trupin tuaj.

Ajo thotë se është e rëndësishme të filloni nga pak derisa të arrini ato kilometra. Nëse nuk keni ecur kurrë një distancë të gjatë, mos filloni me 20 kilometra. Filloni me 4 kilometra ose 8 dhe gradualisht rriteni me nga 1 kilometër.

Njohja e kufizimeve të trupit tuaj është gjithashtu e rëndësishme për të parandaluar dhembjen e gjunjëve, ijëve ose këmbëve. Ajo sugjeron që ta bëni ecjen e gjatë vetëm një herë në javë në mënyrë që trupi të ketë kohë për t’u rikuperuar.

Për sa kohë që e nisni gradualisht dhe merrni pajisjet e duhura, mund të bëheni adhuruesi tjetër më i madh i ecjes në distancë të gjatë.

Po ju do ta provonit?