Pas disa muajsh zvarritje, Gjykata e Durrësit është mjaftuar me caktimin e masës së sigurisë "Arrest shtëpie" për Eraldo Musteqjan.
26-vjeçari u arrestua në qershor të vitit që lamë pas nën akuzat e rënda të "Shkatërrimit të pronës me zjarr" dhe "Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik". Tani, Gjyqtari i Gjykatës së Durrësit, Paulin Çera, ka vendosur ta lejë të lirë, në seancën e zhvilluar në 29 mars.
Për rikujtesë, bëhet fjalë për zjarrëvënien e bizneseve të Noizyt, që ndodhen në Currila të Durrësit, duke shkaktuar rreth 500 mijë euro dëme materiale, e fatmirësisht nuk pati të lënduar. Përveç zjarrit të 29 qershorit, Musteqja dyshohet se është autor dhe i dy zjarrvënieve të tjera, njëra më 11 qershor në të njëjtin lokal i cili u shkrumbua thuajse plotësisht dhe më 10 qershor në derën e shtëpisë së familjes së artistit.
Autori i dyshuar u kap në zonën e Currilave nga punonjësit e policisë, pak pas rënies së zjarrit dhe në momentin e arrestimit atij iu sekuestrua edhe një thikë. Asokohe, Noizy publikoi edhe një video të tij, ku Musteqja pranonte krimin duke kërcënuar për zjarrëvënie për herë të tretë.
Në qershor të 2023, gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestin dhe e la në burg pa afat të riun deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe pamje të kamerave të sigurisë.
Por, pavarësisht të gjithave, gjykatat ka vendosur që ta lërë të lirë duke shërbyer vetëm si një stacion tranziti 9-mujor. Ky është një nga ato raste që dëshmon se drejtësia nuk ka gjithmonë legjitimitet, dhe pandëshkueshmëria vijon të mbetet një problem në vendin tonë.