Pa kaluar akoma 24 orë nga dhënia e dritës jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për avancimin përpara të Kosovës në KiE është regjistruar një incident nga pala serbe. Autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin Batrovci, Serbi-Kroaci, nga mesnata kanë bllokuar katër autobusë me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës.

Në lidhje me këtë ngjarje ka folur shoferi i një autobusëve, Driton Bajrami i cili u shpreh se problemi më i madh i bllokimit që u është bërë autobusëve në Serbi është me ushqim. Ai tha se kompania e tyre u ka siguruar udhëtarëve pijet, ndërsa për ushqim janë në pritje nga restorantet e afërta.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se shteti serb përveç që ka ndaluar autobusët me qytetarët e Kosovës në kufirin me Kroacinë, të njëjtën po e bën edhe në kufirin me Hungarinë. 

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që janë duke udhëtuar që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër territorin e Serbisë. 

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj. Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.