Prej ditësh një 3-vjeçar është zhdukur në Durrës. Pista kryesore me të cilën edhe nëna i është drejtuar policisë është se gjyshërit e fëmijës e kanë rrëmbyer. Ndërkohë policia bën me dije së janë ndaluar dy persona.
Në fillim është raportuar ndalimi i gjyshit të 3-vjeçarit, Rexhep Gjuni ndërsa sot bëhet me dije se është ndaluar edhe një 49-vjeçar. Sipas policisë ky i ndaluar është vëllai i gjyshit të 3-vjeçarit. Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë përkatësisht gjyshj e fëmijësa dhe vëllai i saj.
58-vjeçari fillimisht gjyshi ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur. Ndërkohë bëhet me dije që babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik.
Mësohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit si dhe frikë se mos nusja e tyre mund të largohej jashtë vendit.
Rexhep dhe Berile Gjuni vendosën të largohen edhe nga shtëpia e tyre në zonën e ish-Kënetës për t’u zhvendosur në një banesë me qira në të njëjtën zonë. Aktualisht, në banesë nuk ndodhet askush, ndërsa policia vijon kontrollet në bashkëpunim dhe me policinë e Kukësit dhe rrethet kufitare për të gjetur fëmijën dhe gjyshen dhe fëmijën.
Njoftimi i plotë i policisë:
Durrës/Vijon intensivisht puna për gjetjen e 3-vjeçarit. Kërkimet dhe veprimet e thelluara hetimore për rastin, po kryhen nga Policia e Durrësit, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Në vijim të punës që po kryhet nga Policia, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më datë 13.04.2024, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, ju informojmë se:
Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.
Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has. Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.
Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjsisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.