Ndjekja e studimeve të larta po strukturohet me nevojat e tregut global të punës, teksa shihet një prirje në rritje për degët e mjekësisë dhe inxhinierisë, teksa artet dhe shkencat natyre po vijnë me ulje.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin akademik 2023-2024, numri i studentëve gjithsej arriti në 116,9 mijë, me rënie vjetore 3,6%, teksa në degët e shkencave natyrore, matematikë dhe statistikë, rënia ishte me mbi 43% dhe në degët e arteve dhe shkencave humane, me 10.4%.
Në krahun tjetër, në sfond të uljes së përgjithshme të numrit të studentëve, në disa degë ka rritje të preferencave. P.sh. në degët që lidhen me inxhinieritë, prodhimin dhe ndërtimin, numri i studentëve shënoi rritje vjetore me 1% më 2023-2024 dhe degët e shëndetësisë u shënua rritje me 8.8%.
Gjatë pesë viteve të fundit, numri i studentëve ka pësuar rënie me mbi 10%, ndërsa tkurrja më e madhe kanë qenë në degët që lidhen me shkencat dhe ato të arteve me përkatësisht 61 dhe 42% secila. Numri i studentëve në degët e shëndetësisë ka pësuar rritje me 20.8% dhe në inxhinieri me 11%.
Preferencat për degët po tregojnë se studentët po arsimohen për kërkesat e tregut global të punës. Rritja e kërkesës për mjekë në disa vende europiane dhe sidomos në Gjermani po tërheq shumë studentë drejt degëve që lidhen me shëndetin, të cilët pas studimeve emigrojnë. Kjo prirje u vërejt pas një protestE këmbëngulëse të studentëve të mjekësisë të cilët refuzuan masivisht një ligj që i detyronte ata të punonin së paku 5 vite në Shqipëri pas studimeve të larta.
Përveçse pjesëmarrja e studentëve po pëson rënie të ndjeshme, cilësia e tyre gjithashtu është më rënie. Në kriteret e pranimit në degët e mësuesve mesatarja e maturantëve është pak më shumë se 6. Interesi i ulët për degët e mësuesisë do të rrënojë më tej arsimin në vend, pasi mësuesit e dobët behën shkak për arritje të ulëta të nxënësve në të ardhmen.
Modelet e suksesit që të rinjtë shikojnë sot në rrjetet sociale dhe jetën reale po ndikojnë në uljen e interesit të tyre ndaj shkollës. Një këngëtar tallavaje që fiton para nga klikimet në Tik-Tok frymëzon më shumë se sa një nxënës ekselencë në matematikë.
Ka gjithnjë e më shumë një mendësi nga prindërit dhe nxënësit se shkolla dhe dijet nuk të sigurojnë suksesin në jetë, pohojnë mësuesit në shkolla të mesme. Sipas tyre ka një perceptim në rritje se shkolla nuk ka vlerë sidomos te djemtë. Shumica e tyre synojnë të emigrojnë, thotë mësuesi B.M në Kukës. Më parë, nxënësit ëndërronin të bëheshin inxhinierë, mësues, arkitektë, ekonomistë, ndërsa tani emigrantë.
Marrë nga Monitor