Arti i Performancës është një nga format më pak të zhvilluara në skenën e Artit Pamor shqiptar.
Ndonëse historia e performancës në artet pamore nis të reflektohet në prodhimet futuriste dhe
kabaret dada të vitit 1910, termat "performancë" dhe "arti i performancës" nisën të përdoren
gjerësisht nga viti 1970.
Ky lloj arti mbështetet në veprat artistike që krijohen nëpërmjet veprimeve të kryera nga artisti ose
pjesëmarrësit e tjerë, të cilat mund të jenë të drejtpërdrejta ose të regjistruara, spontane ose të
shkruara.
Megjithëse përgjatë shekullit të njëzetë arti i performancës u pa si një mënyrë jotradicionale për të
bërë art, në periudhën e pasluftës performanca u përshtat me artin konceptual dhe që atëherë është
përdorur për të përshkruar gjithashtu vepra arti filmike, video, fotografi dhe instalacione.
Kohët e fundit, performanca është kuptuar si një mënyrë për t'u përfshirë drejtpërdrejt me realitetin
social, specifikat e hapësirës dhe politikën e identitetit.
Duke patur në vëmendje pikërisht këtë koncept, çifti i artistëve nga Monika Deimling (Poloni) dhe
BBB Johannes Deimling (Gjermani), si artistë pamor dhe edukatorë, synojnë të ndryshojnë
mënyrën se si është prodhuar dhe konceptuar arti i performancës me kalimin e kohës. Interesi i
tyre i përbashkët është të përdorin praktikën, teorinë dhe filozofinë e artit të performancës për të
formësuar një proces kërkimor në ndryshim të vazhdueshëm, që arrin përtej artit, për të riformuar
perceptimet tona dhe strategjitë e veprimit.
FUNDI I FJALËVE TË TRISHTA
GAT e konsideroi të rëndësishme pjesëmarrjen e këtyre artistëve me një ekspozitë në Tiranë, e
cila titullohet “Fundi i fjalëve të trishta” dhe është menduar të prezantohet në tre sallat ekspozuese
ku do të bazohet në mediume si fotografi, video projeksion apo instalacione.
Pjesa më e madhe e këtyre punimeve janë frymëzuar nga Tirana pasi që nga pjesëmarrja e tyre për
herë të parë në Shqipëri në Festivalin “CLOUD”, në Tiranë në vitin 2015, përveç kontributit të
tyre vjetor në imazhin e posterit të festivalit, ata kanë prezantuar edhe disa shfaqje dhe punëtori,
duke bërë kështu që pas shumë vitesh Tirana dhe Shqipëria të bëhej si një shtëpi e dytë për ta.
“Fundi i fjalëve të trishta” jo domosdoshmërisht do të thotë fillimi i fjalëve të lumtura. Si do të
flisnim nëse do të zhdukeshin të gjitha fjalët që na bëjnë të trishtuar? Si do të ndikonte kjo në
mënyrën sesi jetojmë së bashku? A do të kishte ndonjë ndikim në përpjekjet dhe emocionet tona?
Monika Deimling dhe BBB Johannes Deimling përpiqen të gjejnë një gjuhë që shkon përtej
kuptimit. Një gjuhë që adreson emocionet tona dhe dëshirat për të ardhmen në një mënyrë të
çrregullt, ndonjëherë të shpërbërë, por gjithmonë poetike. Në qendër të kësaj është pyetja e
përkatësisë, ku aspektet e shtëpisë, fëmijërisë dhe lidhjet shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm
në krijimin e veprave të tyre. Fshehja e së dukshmes dhe arritja për të gjetur thesare të fshehura
është e rëndësishme për të zbërthyer veprat poetike të të dy artistëve. Çifti artist ka qenë në Tiranë
për tetë vjet dhe gjen frymëzim të madh në kulturën shqiptare, traditat e saj dhe stilin e saj
bashkëkohor. "Shqipëria" është larg nga një fjalë e trishtë për Deimlings.
TË HESHTURIT
Paralelisht me ekspozitën e artistëve gjermanë, në sallën e sipërme të GAT, falë edhe
bashkëpunimit me Bashkinë Tiranë, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit
dhe Drejtorisë së Rinisë, do të prezantohet ekspozita me punime të artistëve të rinj të përgjedhur
si finalistët e kategorisë “Arte Pamore” në “Tirana Art Festival”, kuruar nga artisti Driant Zeneli.
Ekspozita vjen si përmbyllje e një workshop-i një mujor, ku secili nga artistët e rinj ka krijuar një
vepër të re mbi konceptin e heshtjes, duke e analizuar atë në aspekte të ndryshme sociale dhe
politike, duke filluar nga luftrat, emigrimi, arkitektura e deri te familja.
Në shoqërinë e spektaklit vetjak, gjithmonë e më shumë shuhen zërat e atyre që në heshtje punojnë,
sakrifikojnë dhe veprojnë në komunitetet tona, ku zhurma dhe kaosi marrin vlerë në banalitetin e
përditshmërisë. Pikëpyetja dhe sfida që e shqetëson gjeneratën e re është “si të veprosh dhe të
dëgjohesh në heshtje?”.
Ekspozita “Të heshturit” është një grup zërash, të cilët në një performancë ngjyrash dhe
mendimesh të përbashkëta, do t’i bëjë thirrje vëmendjes së shoqërisë në një moment reflektimi
ndaj kohës që po jetojmë. Secili nga pjesëmarrësit me individualitetin e tij unik kërkon të lërë
gjurmën e tij, si një kërmill që shenjon në rrugëtimin e tij të gjatë e të heshtur.