Donald Trump është ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për një krim penal.
Ditën e djeshme, më 30 maj, gjykata e Nju Jorkut shpalli fajtor ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump-in për 34 akuzat.
Prokurorët thanë se Trump-i ka falsifikuar të dhëna për të fshehur rimbursimet që ka bërë për avokatin e tij, Michael Cohen-in, që i kishte paguar aktores Stormy Daniels 130 000 dollarë, me kusht që të mos bënte publike pretendimin e saj se një dekadë më parë kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trump-in.
Sipas CNN masa e dënimit pritet të komunikohet më 11 korrik, 4 ditë përpara fillimit të Konventës Kombëtare Republikane, e cila është parashikuar të nisë më 15 korrik, ku ai pritet të nominohet zyrtarisht kandidat për president.
Trump-i rrezikon deri në 4 vite burg, ndonëse krime të tilla dënohen edhe me gjoba ose liri me kusht.
Vetë Trump-i, 77-vjeçar, është deklaruar i pafajshëm dhe ka mohuar çdo kontakt seksual me Daniels-in. Sipas tij pagesat e kryera ndaj avokatit Cohen ishin përcaktuar saktë në të dhënat e kompanisë si shpenzime ligjore.
Sipas Trump-it aktgjykimi i vërtetë do të jepet nga populli më 5 nëntor, ditën e zgjedhjeve presidenciale dhe pritet të apelojë vendimin.
Vendimi i gjykatës fut SHBA-në në terren të panjohur para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur Trump-i, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat, Joe Biden.
Por a mund të kandidojë ende Trump për president?
Po. Kushtetuta e SHBA-së përcakton tre kërkesa kryesore për të qenë i përshtatshëm për t’u bërë president dhe asnjëra prej tyre nuk referon të qenit një kriminel i dënuar.
Kandidatët duhet të kenë lindur në SHBA, të jenë mbi 35 vjeç dhe të kenë jetuar në SHBA për të paktën 14 vjet.
Asgjë nuk e pengon atë të kandidojë për president dhe të zgjidhet, edhe nëse është në burg në kohën e zgjedhjeve, tha Elizabeth Wydra, presidente e Qendrës së Përgjegjshmërisë Kushtetuese progresive.
Rikujtojmë se, edhe më parë kriminelët e dënuar kanë kandiduar për president, ndonëse nuk ia kanë dalë me sukses.