Dje, më 1 qershor, në festën e fëmijëve, në Tiranë u përurua shkolla e biçikletave, ku fëmijët do të mësojnë pedalimin dhe rregullat e qarkullimit rrugor.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kurset do të zhvillohen paraditeve, ndërsa pasdite ambienti do të jetë i hapur për të gjitha moshat, duke përfshirë prindërit dhe gjyshërit, që duan të shoqërojnë fëmijët, teksa ata pedalojnë.
Gjatë paraditeve do t’i kemi të gjitha kurset e biçikletave këtu, bashkë me instruktorët sipas shkollave. Do t’i organizojmë klasat dhe shkollat, që të mos kemi rrëmujë, dhe do ta trajtojmë si orë mësimi mësimin e biçikletës dhe rregullat e qarkullimit rrugor, ndërkohë që pasditja do të jetë e hapur për të gjithë, nga mosha 1 vjeç deri në moshën 101 vjeç. Nëse dikush vjen me gjyshin, me gjyshen, ka një vend edhe për t’u ulur. Ne duam që të jetë një ambient për të gjithë, ku pjesën më të madhe e kanë fëmijët, - tha Veliaj.
Gjithashtu, ai shtoi se kjo është zyrtarisht shkolla e biçikletave më e madhja në Ballkan.
Drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Anisa Ruseti tha se shkolla e Biçikletave do të shërbejë për t’i mësuar fëmijëve praktikën mësimore dhe më pas edhe praktikën në rrugë, duke i certifikuar si çiklistë.