Kristina Hasa
Mbrëmjen e djeshme pata fatin të isha një nga 25 mijë personat e pranishëm në “Motiv” dhe as mos e ço në mendje të ‘më gjykosh’ për fjalët ‘pata fatin’, sepse kështu do e konsideronte pjesëmarrjen në atë koncert çdo fans i Alban Skënderajt.
Lexova pafund komente nga njerëz që shprehnin keqardhjen e tyre që nuk kishin mundur të ishin në “Air Albania” mbrëmjen e djeshme. Kapaciteti ishte i limituar dhe shitja e biletave ishte në kohë rekord. “Air Albania” është i madh, më i madhi stadium në vend, por jo mjaftueshëm për të.
Kështu që, po, pata fatin!
Gjatë atyre orëve mbushur me miks emocinesh, më vinin kaq shumë mendime mbi Albanin, doja të thoja shumë, e të shprehja admirimin që ndjej për këtë artist, që doli në skenë kur isha 4 vjeç. Po, unë u bëra fanse e tij që 4 vjeç kur kushërirat e mia më të mëdha në moshë e dëgjonin papushim. Asokohe nga ndikimi i tyre, më pas sepse në shumë këngë të tijat gjeja copëza të shpirtit.
Por, sot, kur adrenalina ra e nuk ishte në nivelet e mbrëmshme, mendova se do ishte qesharak çdo shkrim mbushur me superlative për Alban Skënderajn. Ndaj në vend të kësaj vendosa të ndaj me ju ‘një fletë ditari; me të gjitha mendimet që pata në mendje gjatë “Motivit”.
1. Ore, qenka me vërte kaq shumë njerëz…25 mijë… Asnjë artist s’mund të mbushte një stadium me 25 mijë persona, duke arritur një rekord historik, duke përdorur VETËM emrin dhe repertorin e tij. Zero PR.
2. Okay, ja tek është, ‘MAN OF THE NIGHT’. Albani qenka bërë shumë i bukur sonte…po më vërteton edhe një herë teorinë se burrat pas të 40-ave bëhen më seksi.
3. Po që paska shumë breza. Ka nga të gjitha moshat, millennials, Gen-Z, e shumë fëmijë. Asnjë nuk ka ‘imunitet’ ndaj muzikës së Albanit. Ai bashkon brezat në mënyrë transversale.
4. Përfundimisht, fuqia e muzikës është unike. Albani këndon dhe unë shoh një adoleshente, e cila me kufje në vesh kërcente vetëm në dhomë. “Lea kërcen si të mos kishte asnjë problem…” Të gjithë u morën për dore nga Albani dhe u tërhoqën për dy orë në një udhëtim nëpër kohë, në periudha që duken të largëta dhe të mrekullueshme.
5. Ka shumë pak artistë (edhe në botë) që, pavarësisht se nuk kanë rënë pre e komercializmit, kanë mbetur në kulmin e tyre. Albani është një ndër të paktët.
6. Të gjitha gocat duken më të lumtura se unë… :/
7. Si një fanse e futbollit kam qenë shpesh në ‘Air Albania’, përfshirë edhe ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 dhe nuk e di a më kuptoni dot nëse nuk e keni provuar se çfarë tifozerie ka në ato ndeshje. Por, ky stadium nuk ka oshëtirë kurrë më parë si sonte. Sepse ndryshe nga sa ndodh për kombëtaren sonte po oshëtin me nostalgji, dhimbje, pendesa…jo vetëm gëzim.
8. Dhe ja sërish Albani me një thjeshtësi mbresëlënëse… asnjë eufori… asnjë esklamacion. Një Alban që veç me kordat e zërit prodhon magji.
9. Sekreti i tij ndoshta qëndron pikërisht këtu, në të qëndruarit besnikë ndaj vetes, muzikës e artit të tij.
10. Po qan…Albani është në lot. Pas historisë së një fanseje që i kishte shpëtuar jetën përmes muzikës së tij dhe ajo kishte ardhur enkas nga Gjermania për të.
11. Mes argëtimit dhe nostalgjisë, ‘Motivi’ na ndihmon të kujtojmë të jetojmë çdo fryëmarrje pavarësisht çdo vështirësie. Pra, je në ‘Air Albania’ duke kënduar ‘Nuk je vetëm’ me 25 mijë të panjohur dhe një ndjesi e mrekullueshme të pushton: e ngjashme me atë kur lë pas ndonjë te keqe dhe mezi pret të surprizohesh nga e ardhmja.
12. Po kërcej, kam dy orë duke kërcyer. Prisja të qaja më shumë…
13. E bukura, Miriam Cani…një artiste unike. Ok, I want what they have, sërish.
14. "Hajdeni, këndojmë bashkë", "A po kënaqeni?", "A keni ende energji". Nga minuta e parë deri në minutën e fundit të koncertit Albani e di mirë se pa publikun e tij nuk do të ishte aty ku është, ndaj dhe e nënvizon me njëfarë krenarie se suksesi që ka ndërtuar nuk është vetëm fryt i talentit të tij, por edhe i publikut besnik.
15. Okay, ‘Eklipsi’ do më bëj përherë për të qarë, edhe pse e di se ‘ndoshta më nuk ia vlen të zgjohem me mendje tek ti’.
16. Aw, po shoh shumë njerëz duke qarë.
17. Albani është këngëtari i dashurisë. D.m.th shqiptari që i ka kënduar më bukur dashurisë. Sepse si mund të ma shpjegonin praninë e gjithë këtyre çifteve? Duken kaq të dashuruar…dhe unë po ndihem sërish shumë ‘single’.
18. Një skenë gjigante, një mikrofon dhe në një moment një kitarë. Nuk mund të prisja një koreografi me 100 balerinë. Kjo është edhe arsyeja pse e dua Alban Skënderajn. Prania skenike, aura e tij është njaftueshëm.
19. Në fund të këtij udhëtimi shpirtëror mendova: “Mbaroi? sikur të isha katapultuar befas në realitet. Papritur, të njëjtat vështrime rreth meje patën një shije thuajse melankolike dhe pikërisht ky dualizëm mes shpresës dhe nostalgjisë është forca e Albanit dhe muzikës së tij.
20. Alban, Faleminderit! Të Duam.