Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbërritur në Gjermani dhe po përgatitet intensivisht për sfidën e madhe të EURO 2024. Baza e tyre stërvitore, e vendosur në kompleksin modern të Kaiserau, është vendi ku lojtarët tanë po punojnë me përkushtim për të qenë në formën më të mirë të mundshme për ndeshjet e radhës. Në prag të debutimit kundër Italisë, mbrojtësi Arlind Ajeti ndau emocionet dhe shpresat e tij për këtë kampionat prestigjioz.
Ajeti shprehu emocionet e tij përpara sfidave që presin Shqipërinë në EURO 2024. Ai theksoi rëndësinë e përgatitjes së mirë fizike dhe mendore përballë ekipeve të forta si Italia, Kroacia dhe Spanja.
“Ndihem shumë mirë. Çdo lojtar që është i grumbulluar është diçka speciale, sidomos kur është për Kampionat Evropian. Mund të ndodhë gjithçka, ne do japim maksimumin dhe do mundohemi të arrijmë një rezultat pozitiv si në ndeshjen e parë dhe në të fundit,” tha Ajeti.
Mbrojtësi tregoi se ekipi është i përgatitur për çdo kundërshtar dhe veçoi Scamacan e Italisë si një lojtar shumë të rrezikshëm, duke theksuar se çdo detaj i ndeshjes do të analizohet me kujdes.
“Për momentin kemi analizuar gjithë ekipin e Italisë. Në ditët e ardhshme do të specifikojmë dhe lojtarët individualë. Ne duhet të përgatitemi për çdo sulmues, edhe Scamacan e pamë në Ligën e Europës që është shumë i rrezikshëm,” shpjegoi Ajeti.
Ajeti shprehu entuziazmin për pjesëmarrjen e dytë të Shqipërisë në një Kampionat Evropian, duke theksuar se ndjenjat dhe emocionet janë gjithmonë unike dhe të veçanta.
“Europiani është diçka shumë e veçantë, çdo lojtar e ka ëndërr të marrë pjesë. E kemi fatin për të qenë këtu dhe do të japim maksimumin. Ne gjithmonë i besojmë vetes dhe ekipit e çdo lojtari të grumbulluar. Do të japim maksimumin dhe të shohim çdo të ndodhë,” theksoi Ajeti.
Ai pranoi se presioni është një pjesë normale e futbollit, por në Kombëtare ai ndihet më krenar, sidomos kur sheh mbështetjen e tifozëve.
“Presioni është një gjë normale në futboll, por në Kombëtare ndjehesh më krenar kur sheh tifozët dhe të jep një motivim ekstra. Jam i sigurt që do na mbështesin këto ndeshje,” tha Ajeti.
Shqipëria do të fillojë aventurën e saj në EURO 2024 kundër Italisë më 15 qershor në “Iduna Park” të Dortmundit, një ndeshje që pritet me shumë interes. Pas kësaj, kuqezinjtë do të përballen me Kroacinë më 19 qershor dhe me Spanjën më 24 qershor.
Ajeti u shpreh se ekipi është gati për këto sfida dhe se çdo ndeshje do të trajtohet si një finale e veçantë.
“Kemi 3 finale, çdo ndeshje është speciale për ne. Do të jetë e vështirë, por shpresojmë të bëjmë diçka speciale,” përfundoi Ajeti.