Pasditen e djeshme tregu i rrobave të përdorura në Shkodër dhe disa banesa u përfshinë nga flakët. 

Ngjarja ndodhi në lagjen "Ndoc Mazi", ku e gjithë zona u përfshi nga shtëllunga gjigante tymi. 

Në ndihmë shkuan forca të shumta zjarrëfikëse efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, duke vënë në kontroll flakët. 

Kryebashkiaku, Benet Bici, i cili ndodhej në vendngjarje u shpreh se situata u mor në kontroll. Në ndihmë shkuan zjarrfikëse nga Lezha, Vau i Dejës, Ulqini dhe Tivari. 

Beci u shpreh se ishte luftë e vërtetë vënia në kontroll e vatrës së zjarrit.

Edhe Prefektja e Qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni u shpreh se është lokalizuar perimetri i zjarrit. Ajo shtoi se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale do të përcaktohen pas shuarjes së zjarrit.

U raportuan të djegura disa banesa përreth nga vatra e zjarrit dhe 25 njësi tregtare u shkrumbuan.

Tregu ishte i mbyllur në momentin e rënies së zjarrit. Dyshohet se zjarrin e kanë ndezur qëllimisht, por ende nuk ka informacione të zyrtarizuara.