Pritshmëritë janë për një tur mbretëror jozyrtar. Në ditët në vijim, duke filluar nga e enjtja, Princi Harry dhe Meghan Markle (e cila sapo ka mbushur 43 vjeç në heshtjen e familjes mbretërore) do të jenë në Kolumbi për një udhëtim që do të përfshijë disa ndalesa, pas ftesës së bërë nga zëvendës presidentja e vendit, Francia Márquez, e para grua me ngjyrë që mban këtë post. Márquez ishte ajo që konfirmoi praninë e dukëve të Sussex-it në Kolumbi, dhe në veçanti pjesëmarrjen e Meghan-it (e cila do të ketë mundësinë të shfaqë spanjishten e saj të përkryer, të mësuar në shkollën private që ka ndjekur në Los Angeles dhe të përmirësuar në Argjentinë) në Bogotá, Cartagena de Indias dhe Cali, ku do të takohet me liderët e rinj rajonalë kolumbianë. "Vizita e saj vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm, pasi paraprin Konferencën e parë botërore ministrore për eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve, e cila do të mbahet në Kolumbi në nëntorin e ardhshëm," theksoi Márquez në një deklaratë.

Udhëtimi në Kolumbi (që nuk është mirëpritur nga Pallati Buckingham për arsye të sigurisë dhe për shkak të natyrës tepër mbretërore me të cilën duket se është organizuar) është gjithashtu i lidhur me Fondacionin Archewell, drejtuar nga Harry dhe Meghan, që merret drejtpërdrejt me disa tema, si "promovimi i mjediseve digjitale më të sigurta", që është një nga temat që do të trajtohen në Kolumbi gjatë Konferencës, ku do të marrë pjesë edhe vetë Fondacioni. Nga njëra anë është angazhimi social, por nga ana tjetër për shumë qytetarë kolumbianë, kjo ftesë për dukët e Sussex-it përfshihet në një përpjekje të qeverisë për të përdorur çiftin për të larguar vëmendjen nga disa skandale që kanë goditur vendin (si akuzat për korrupsion ndaj djalit të presidentit Petro, i cili rrezikon deri në 25 vjet burg për shumë akuza dhe tradhtia e pretenduar e presidentit ndaj bashkëshortes së tij Veronica Alcocer me prezantuesen televizive Linda Yepes), ku kriminaliteti mbetet ndër më të lartat në botë.