Ernest Muçi, fantazisti i talentuar shqiptar, pritet të ndryshojë skuadër këtë verë, ndërsa qëndrimi i tij te Besiktas duket gjithnjë e më i pasigurt. Largimi i Muçit nga klubi turk është bërë një temë e nxehtë e kësaj merkatoje, me futbollistin që ka qenë pjesë e Besiktas që nga janari i këtij viti, por duket se e ardhmja e tij atje është në pikëpyetje.
Fillimi i sezonit të ri ka qenë i vështirë për 23-vjeçarin kuqezi. Në dy ndeshjet e para, Muçi nuk ka luajtur asnjë minutë, duke ngritur dyshime mbi pozicionin e tij në skuadër. Kjo mungesë aktivizimi tregon qartë se drejtuesit e klubit janë duke menduar shitjen e tij, ndërsa trajneri Giovanni van Bronckhorst duket se nuk dëshiron të rrezikojë me aktivizimin e tij në këtë fazë të sezonit.
Një nga arsyet kryesore që e ka vënë Muçin në një situatë të tillë është ardhja e fundit e Rafa Silvës nga Benfica. Futbollisti portugez ka arritur të bindë trajnerin Van Bronckhorst, i cili i ka besuar vendin e titullarit në rolin e fantazistit, rol që më parë ishte i Muçit. Pavarësisht se trajneri i ri fillimisht shfaqi interes për talentin shqiptar, afrimi i Silvës ka ndryshuar balancën dhe portugezi është kthyer në zgjedhjen e parë.
Në këto rrethana, është e qartë se Muçi duhet të gjejë një skuadër të re për të vazhduar karrierën e tij. Megjithatë, ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me destinacionin e tij të ardhshëm. Prej kohësh është përfolur për një interesim nga Aston Villa në Premier League, por deri më tani, nuk ka patur ndonjë zhvillim konkret.