Gruaja e Steph Curry-t, Ayesha Curry dhe Draymond Green patën një shkëmbim të tensionuar me policinë pariziane të shtunën, më 10 gusht.

Në videon tre-minutëshe të publikuar nga 'The Hollywood Fix', Ayesha dukej se u përlot gjatë një ndërveprimi me policinë lokale pas ndeshjes së ekipit të SHBA-së për medaljen e artë kundër Francës, sipas New York Post. Asaj iu bashkua bashkëlojtari i bashkëshortit të saj në 'Golden State Warriors', Green, dhe vjehrra e saj, Sonya Curry. Ajo mbante gjithashtu djalin e saj Kaius, ndërsa më i madhi i tyre, Canon, ecte nga afër.

"Shiko, ata nuk do të na lënë të kthehemi atje nga erdhëm," dëgjohej Sonya duke u thënë oficerëve të policisë në klip. "Ata nuk do ta lënë shoferin të vijë këtu dhe nuk do të na lënë të kthehemi atje." Një burrë dukej se po përkthente atë që tha policia dhe i informoi të tre se "presidenti" [Emmanuel Macron] ishte planifikuar të kalonte nga rruga dhe askush nuk lejohej të kalonte derisa ai ta kishte bërë këtë.

Në një moment gjatë incidentit, Draymond pretendoi se një nga oficerët kishte goditur djalin e Ayesha dhe Steph. "Pra, edhe pasi e keni goditur foshnjën në kokë, nuk mund të bëni asgjë për ta larguar nga këtu?" tha ai. Është e paqartë se sa ka zgjatur situata, por Ayesha u pa duke fshirë lotët nga sytë.

Pavarësisht situatës me familjen e Steph pas ndeshjes të së shtunës, ishte një ditë e madhe për ta falë performancës së tij të shkëlqyer në finalet e basketbollit për meshkuj në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Steph shënoi 24 pikë, duke përfshirë katër tre pikësha në tre minutat e fundit. Ai ishte një faktor kyç në fitoren 98-87 kundër Francës.