Pas humbjes së Ismail Kadaresë, jeta për Helenën, pas një rrugëtimi prej 60 vitesh me gjeniun e letrave shqipe, duket edhe më e pamjaftueshme se më parë. Në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”, Helena ka përshkruar me hollësi udhëtimin e gjatë dhe të ndërlikuar me shkrimtarin e madh, duke treguar se çdo moment i ndarë me të ka qenë i shenjtë.
Në homazhet përkujtuese, ku Helena ndan kujtimet e çmuara me miqtë e Kadaresë, figura të rëndësishme publike, artdashës dhe të afërm, dhimbja dhe ndjenja e mungesës është e thellë. "Kanë kaluar 40 ditë dhe për mua e njerëzit e dashur është ende prezent. Akoma nuk po e kuptoj që nuk është më,” thotë Helena, duke përshkruar boshllëkun që ka lënë pas humbja e tij.
Për Helenën, bashkëudhëtimi me Ismailin ka qenë një përvojë e shkëlqyeshme, por gjithashtu e vështirë, duke përballuar sfidat e shumta që e shoqëruan jetën dhe karrierën e tij. Si një grua besnike dhe shoqe e devotshme, ajo e ka mbështetur në çdo moment të vështirë, duke ndarë me të edhe momente të shumta të bukura.
“Prezenca ime afër Ismailit, ka qënë një rrugë e gjatë e shkëlqyeshme dhe e lodhshme gjithashtu. Gjithmonë janë miliona adhuruesit e tij nëpër botë, e sigurisht duke filluar nga shqiptarët. Por ka qenë edhe rruga tjetër e sulmeve që janë bërë kundrejt tij. Jam përpjekur të jem një grua e një shoqe për ta mbështetur në momentet e vështira, por njëkohësisht janë të shumta momentet e bukura që kemi kaluar së bashku”, tha Helena.
Helena e duruar pranonte sakrificën e ndarjes së dashurisë së Ismailit vetëm me librat, që sot e ngaherë janë një thesar për letërsinë, e që e bëjnë Kadarenë të pavdekshëm.
“Jam përpjekur ta bëj jetën e tij që të mos e ndjej kurrë nevojën e diçkaje, them diçkaje të thjeshtë të përditshme. Domethënë ai merrej vetëm me punën e tij dhe e vuante shumë nëse nuk bënte ato dy orë e gjysmë shkrim në ditë, që i ka bërë ditë festash, udhëtimesh të pafundme tonat. Vetëm çështja e Kosovës e ka bërë që ai të heq dorë nga ajo punë që e kishte aq përzemër”, tregon ajo.
Në rrëfimin e saj të parë pa Ismailin, Helena kujton çdo moment të jetës së tyre të përbashkët, e ka në mend fjalët e tij…
“Për ta përfunduar siç thoshte ai vetë shumë bukur që ‘kam bërë një gjë normale në një vend anormal”. Dhe siç e dini ju të gjithë e ka bërë me shumë sukses, e jam shumë krenare që kam qenë në krah të tij”, kujton Helena.
Burim: Top Channel