Zëri ikonik i Radio Tiranës, Vera Zheji është ndarë nga jeta. Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga familjarët e saj, ndërsa shkruajnë se ajo jetoi me pasion, gëzim, punë plot 91 vite të jetës së saj, duke lënë gjurmë të paharruara në artin shqiptar.

Vera Zheji është pinjolle e dinastisë kulturore Zheji, motra e gjuhëtarit, filozofit të madh dhe studiuesit të njohur, Petro Zheji.

Ajo lindi më 30 Janar të vitit 1933 në Tiranë. Në vitin 1948, kur ishte vetëm 15 vjeç Vera u bë një zë mjaft popullor për mikrofonin e Radio Tiranës të asaj kohe.

Zheji krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilat identifikoheshin me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.

Të gjithë mund të kujtojnë zërin e saj magjik kur lexonte përrallat e orës 19.00 në vitet ‘70.

Në një reagim në rrjetin social “Facebook” lidhur me ndarjen nga jeta të ikonës së Radio Tiranës, Presidenti Bajram Begaj shprehet se vështirë që të ketë një person tjetër me cilësi të ngjashme si të saj.

Begaj shton se Vera Zheji do të kujtohet si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës.

“Sot u nda nga jeta Vera Zheji, zëri ikonik i Radio Tiranës. Një grua që pothuajse është e vështirë që të ketë të ngjashme në cilësinë e gazetares, spikeres dhe gruas me mendje të lirë. Spikere, gazetare, aktore dhe pedagoge e Fjalës Artistike në Institutin e Lartë të Arteve, Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës”, shkruan Presidenti.