Nga Artan Fuga
Kot po mendoja!
Në kohën e totalitarizmit shqiptarët ndiheshin ose viktima të pushtetit, ose heronj se kujtonin se ishin në qendër të ndryshimit të botës, apo se ishin në kështjellë të rrethuar, si luftëtarë të Skënderbeut!
Ose edhe viktimë edhe heronj, ose herë viktimë dhe herë heronj.
Por, ishin diçka, jeta kishte një kuptim.
Qesharake, dramatike, por kështu ishte.
Tani nuk janë asgjë. Nuk janë heronj se nuk u thotë njeri hajde luftojmë kundër gjithë botës si çmendanikë të vetmuar!
Por, nuk janë dot së paku as viktimë, sepse nuk i internon njeri, nuk i torturon njeri, nuk i dënon kush po the këtë apo atë.
Ik o idiot thuaj çfarë të duash! – duket sikur dikush u thotë gjithë ditën!
As heronj, por as viktimë. Jeta u bëhet pa kuptim sepse u duket se janë kot, kot në plazh, kot në birrari, kot në seks, kot në pushtet, kot kur grumbullojnë paranë. Kot fare!
Dhe për t’i dhënë kuptim jetës një masë ikin si Kristofor Kolomba, të tjerë shajnë gjithë ditën, ose lëvdojnë gjithë ditën duke bërë kriza psiqiko-orale, ca hedhin karriket në parlament, ca bëjnë propagandë duke treguar qindra milionë turista që nuk kanë tjetër punë veçse të vijnë në qytetet tona gjithë vapë dhe pa pemë, me aroma kalbësirash vere, ca vrasin, vjedhin, ca bëjnë korrupsion sepse duan aventura, ca zënë dashnore gratë e të tjerëve, ca burrat e të tjerave, vetëm e vetëm t’i japin kuptim jetës së tyre!
Ca i hyjnë detit me not, ca qëllojnë me pistoletë organet gjenitale të rivalëve seksualë, ca ngasin veturat me shpejtësi skëterre, ca vetëvriten.
Kërkojmë statuset sociale të dikurshme që na jepnin kuptimin, o viktimë, o heronj!
Mungon kuptimi i jetës së tanishme, zhytur në kotësi që një ditë mbaron, …kot!