Mira Murati, shefja e teknologjisë së OpenAI, kompania që ka zhvilluar sistemin e inteligjencës artificiale ChatGPT, ka ndarë një moment të veçantë gjatë një interviste në Festivalin Cannes Lion 2024. Ajo zbuloi se pyetja e parë që nëna e saj i bëri ChatGPT ishte: "Kur do të martohet Mira?"
Murati tregoi se motra e saj ishte ajo që i shpjegoi nënës se si funksionon inteligjenca artificiale dhe se ChatGPT mund të përgjigjej për shumë pyetje, edhe në shqip. Me humor, motra e Muratit i tha nënës: "Mama, nuk mund të bëjë mrekulli. Është vetëm inteligjencë artificiale."
Kjo pjesë e intervistës, e publikuar fillimisht në rrjetin social X, është bërë virale dhe ka nxitur komente të ndryshme në rrjetet sociale. Një komentues e ka cilësuar si “Biseda më tipike me një nënë shqiptare.”
Lidershipi i Mira Muratit është vlerësuar nga drejtues të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike, përfshirë Satya Nadella, CEO i Microsoft.