Shkruhet “Granit Xhaka”, lexohet “Talent, Këmbëngulje dhe Frymëzim”.

Historia e tij meriton të shkruhet jo në artikuj, por në libra. Padyshim futbollisti shqiptar më i suksesshëm, dhe një figure që përfaqëson më shumë se vetëm një lojtar futbolli.

Një rrugëtim me shumë turbulenca, të cilat ia doli t’i kapërcejë me sukses e të fluturojë lart. Aq lart sa të renditet mes më të mirëve, duke shkruar emrin e tij mes 30 kandidatëve për çmimin më të lakmuar të futbollit, “Topi i Artë”, i dhënë nga 'France Football' për lojtarin më të mirë në sezonin e kaluar sportiv.

Ai është i pari shqiptar dhe në të njëjtën kohë lojtari i vetëm zviceran që ka arritur këtë nivel në botën e futbollit. Me 15 vite karrierë, Graniti ka prekur nivelet më të larta të futbollit evropian, duke përfaqësuar klube të mëdha si Basel, Borussia Mönchengladbach, Arsenal dhe Bayer Leverkusen. Me një karrierë prej 550 ndeshjesh në nivel klubi dhe 130 ndeshje me përfaqësuesen e Zvicrës, Xhaka ka shënuar 53 gola në karrierën e tij dhe ka mbajtur shiritin e kapitenit të Arsenalit dhe të ekipit kombëtar të Zvicrës. Për shtatë vite, ai udhëhoqi Arsenalin në një prej periudhave më sfiduese të klubit, duke u bërë një lider i vërtetë, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

Sezoni i kaluar ishte spektakolar dhe më i miri për të, duke fituar Bundesligën gjermane me Bayer Leverkusen, pa asnjë humbje. Më pas fitoi edhe Kupën e Gjermanisë, madje e vendosi atë finale me supergolin e realizuar. Xhaka ishte edhe në finale të Ligës së Evropës që u fitua nga Atalanta.

Por, nuk ka qenë asnjëherë e lehtë për të.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Granit Xhaka (@granitxhaka)

Në verën e vitit 2016, Xhaka u bë – në atë kohë – nënshkrimi i tretë më i shtrenjtë i Arsenalit pas Mesut Özil dhe Alexis Sánchez.

25 maj 2016 do ishte hapja e një kapitulli shtatë vjeçar në Emirates plot ngjarje, ulje-ngritje, sfida, përballë të cilave shumëkush mund të ishte dorëzuar.

Para Mikel Artetës, marrëdhënia mes Xhakës dhe tifozëve të Arsenalit ishte le të them toksike. Në një fazë dukej e pariparueshme. Gabimet dhe incidentet deri-diku i rrënuan gjashtë sezonet e tij të para në klub. Nga nënshkrimi me Gunners në 2016 deri në fund të 2021-22, Xhaka bëri më shumë gabime që çuan në golat e kundërshtarëve (tetë) se çdo lojtar tjetër në ‘Premier League’, dhe asnjë lojtar nuk u largua nga fusha e blertë me karton të kuq (katër) dhe nuk shkaktoi më shumë penallti (gjashtë ) se ai gjatë kësaj periudhe.  Asokohe, të shikoje Xhakën ishte si të shikoje një bombë me sahat.

Sigurisht, kjo periudhë nuk ishte e gjitha skëterrë. Xhaka luajti një rol kyç në fitoret e ‘FA Cup’ në 2017 dhe 2020.

Midis këtyre dy triumfeve ndodhi një nga momentet më të errëta të epokës së Xhakës në Emirates ishte ndeshja famëkeqe përballë Crystal Palace në 2019. Zëvendësimi i Xhakës në këtë ndeshje u prit me brohoritje nga tifozët e tij, të cilëve ai u përgjigj me gjeste. Ky ishte një nga ato momente, i ngjashëm me shpërthimin famëkeq të Eric Cantona-s në Selhurst Park në 1995, që do të hynte në historinë e Premier League për të gjitha arsyet e gabuara. Mallkimi i shiritit të kapitenit të Arsenalit kishte goditur sërish.

Në atë kohë, ishte e vështirë të imagjinohej që Xhaka të luante përsëri për Arsenalin. Mendimi se ai do të rindërtonte karrierën e tij në Londër dhe gooners-at të këndonin emrin e tij ishte i paimagjinueshëm…

Boom!

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Granit Xhaka (@granitxhaka)

E paimagjinueshmja ndodhi! Një lojtar që dikur shihej si një mesfushor kaotik dhe nganjëherë katastrofik, u shndërruar në një nga forcat kryesore të Topçinjve. Narrativa filloi të ndryshonte. I kritikuar shumë nga fansat dhe mediat, Xhaka – për herë të parë në karrierën e tij në Arsenal –filloi të vlerësohej për paraqitjet e tij.

Arsyeja pas kësaj? Besimi që Mikel Arteta i dha.

“Ai është një person i veçantë. Ai është shumë i drejtë, është shumë i sinqertë, është shumë besnik dhe është shumë i apasionuar pas asaj që bën. Ai ka bërë disa gabime dhe ka mësuar prej tyre, duke u përballur gjithmonë me vështirësi dhe duke mos ikur kurrë prej tyre. Kjo është ajo që të gjithë trajnerët duan nga lojtarët e tyre. Ti e di se mund të mbështetesh tek ai, ai do të luftojë dhe do të thyejë mure për ty.”- Mikel Arteta për Granit Xhakën

Dhe ja ku vjen “Granit Xhaka 2.0”, lojtari që duhej të ishte gjithmonë dhe më në fund u shfaq falë evolucionit taktik të Artetës. Lojtari i vetëm mbi 30 vjeç që ishte titullar i rregullt në skuadrën e Artetës. Me ose pa shiritin e kapitenit, Xhaka mbeti lider, në kohët e mira dhe në ato të këqija. Xhaka filloi të luante orkestratorin, ndërsa pas humbjes në St James' Park në fund të sezonit 2021-2022 – kur ngelën jashtë ‘Champions League’ –ishte ai që u ngrit për t'u përballur me mediat dhe kritikët.

Xhaka e përfundoi sezonin me një dygolësh kundër Wolves në ndeshjen e tij të fundit me Arsenalin, me një total prej 9 golash dhe 7 asist, shifra e tij më e lartë. Ai u largua si një figurë e dashur, kyçe në Arsenalin e ri të Artetës; ai që mblidhte shokët e tij të skuadrës pas çdo goli të shënuar dhe i nxiste të gjithë të mbanin kokën lart dhe të vazhdonin kur pësonin gola. Përmes vendosmërisë dhe këmbënguljes së plotë, ai arriti të rishkruante historinë e tij në klub.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Granit Xhaka (@granitxhaka)

Largimi nga Arsenali në fund të 2023 ishte zgjidhja e duhur, por askush nuk mund ta imagjinonte atëherë suksesin e tij dhe Bayer Leverkusen.

Ky sezon ka qenë një masterclass i vërtetë për Xhakën, i cili ka qenë një nga figurat kyçe dhe lojtarët më të rëndësishëm të Bayer Leverkusenit.

Historia e Xhakës është një histori që ka pasur gjithçka, e ka lënë me gojëhapur edhe skeptikët më të mëdhenj. Ai po jeton një ëndërr, e po bën mijëra të rinj të ëndërrojnë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Granit Xhaka (@granitxhaka)

Ringritja e tij është po aq mahnitëse e frymëzuese sa ajo e Tyson Fury apo David Beckham.

Historia e tij ju fton të vazhdoni, edhe kur është e lehtë…edhe kur jeni në dhimbje... sepse nuk ka rrugë tjetër. Çdo moment është një lindje e re. Një shans i ri për të rilindur, për të marrë atë që meritoni.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Granit Xhaka (@granitxhaka)