Me gjithë vështirsitë që kalon ekonomia, duket se shqiptarët janë të prirur të kenë një biznes privat. Mundësia e rritur nga turizmi “po shfytëzohet” si një hap për të patur një aktivitet biznesi. Kjo duket nga të dhënat, ku pjesën më të madhe të bizneseve të hapura gjatë këtij viti e zë vetëpunësimi.

Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, tregojnë se gjatë periudhës Janar- Gusht 2024, janë regjistruar 12,240 biznese me shpërndarje në të gjithë vendin.

Sipas Ministrisë së Financave, numri i bizneseve të reja është rritur me rreth 4700 subjekte më shumë, duke lënë të qartë të kuptuar se janë më shumë bizneset që u mbyllën.

Si është shpërndarja e tyre në bazë qarqesh?

Në krye të listës qëndron Tirana, duke qenë se është kryeqyteti i vendit dhe ka numrin më të lartë të popullsisë por edhe të kërkesës për konsum, Tirana regjistron 422 biznese të reja, ndjekur nga Vlora, Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Lezha.

Ndërsa në fund renditen Kukësi me 22 biznese të regjistruara rishtazi dhe Gjirokastra me 18 të tilla. Kategoria të tjera ka  një numër prej 10.889 subjektesh të regjistruara gjatë këtij viti në QKB.

Sa i takon regjistrimit sipas kombësisë, rezulton se 11,115 biznese janë me pronësi 100 % shqiptare, 961 prej tyre janë 100% të huaja, 159 subjekte kanë pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj dhe 5 janë me kombësi shqiptare por shtetërore.

Përsa i përket formës së tyre ligjore, peshën më të madhe e zënë subjektet e regjistruara si “person fizik” apo i vetëpunësuar, me 9050 prej tyre. Person Fizik quhet një individ që kërkon të ushtrojë një aktivitet tregtar të pavarur dhe është  i vetëpunësuar, i vetëm dhe/ose me punëmarrës anëtarë të papaguar të familjes dhe persona të tjerë. Shifra tregon tendencën e qytetarëve për të punuar për veten e tyre dhe duket se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar tatimin e vendosur për këtë kategori, ka sjellë një ndryshim të situatës.

Ndjekur nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ku janë çelur 3127 të tilla, si degë e shoqërisë së huaj janë 22 subjekte, 25 janë në formën ligjore “shoqëri e thjeshtë” 8 janë shoqëri aksionere dhe 4 zyrë përfaqësimi. Numërohen gjithashtu 3 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor dhe 1 SHA me ofertë publike.