Kopertina e tekstit “Gjuha shqipe 3” nga shtëpia botuese Albas, u bë ditën e djeshme temë bisede madje u konsiderua edhe si skandal. Në kopertinën e librit, shihet një ilustrim i një magjistari me mjekër, por i veshur me një fustan me ngjyra ylberi të cilat u krahasuan me atë të flamurit të komunitetit LGBTQ+.

Shtëpia botuese e tekstit shkollor ka reaguar për Zëri.ai, duke thënë se ky është viti i tretë që teksti operon në shkolla dhe askush nuk ishte shqetësuar deri më tani nga kopertina. Sipas shtëpisë botuese ylberi në kopertinë është simbol fëminor dhe se simbolizon dukurinë e natyrës.

Sa i përket figurës së magjistarit me fustan e mjekër, shtëpia botuese thotë se kjo ka lidhje me një poezi, ku fëmija u lutet të gjithë magjistarëve të botës t’i falin një shkop magjik, me të cilin ai do të zhdukë lotët e vogëlushit të varfër që ta gëzojë atë e t’ia mbushë jetën me ngjyra.

Në përfundim të reagimit, shtëpia botuese shprehet se interpretimet tendencioze dhe diskriminuese po thellojnë krizën që po kalojmë si shoqëri duke dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve.

Reagimi i plotë:

Sqarim në lidhje me kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 3”. Duke u nisur nga zhurma në rrjetet sociale dhe në disa portale e medie, e ndiejmë për detyrë të sqarojmë çdo keqinterpretim në lidhje me kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 3". Është kthyer tashmë në traditë që çdo vërejtje apo sugjerim nga mësuesit e prindërit, Ministria e Arsimit ua dërgon shtëpive botuese, dhe çdo vit tekstet ribotohen të përmirësuara. Është viti i tetë që teksti “Gjuha shqipe 3” përdoret në shkollë dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar nga kopertina e tij. Ylberi është simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave, por dhe simboli i një dukurie aq të mrekullueshme të natyrës. Gjithashtu, përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës, me anë të të cilit u shpjegohet fëmijëve se jemi të gjithë të veçantë dhe diskriminimi racor është shumë i gabuar. (Ka pjesë leximi për këtë temë). Sa për figurën e magjistarit në kopertinë (dhe magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra), kjo ka lidhje me një poezi, ku fëmija u lutet të gjithë magjistarëve të botës t’i falin një shkop magjik, me të cilin ai do të zhdukë lotët e vogëlushit të varfër, që ta gëzojë atë e t’ia mbushë jetën me ngjyra. Interpretimet tendencioze dhe diskriminuese, sa më shumë përhapen në rrjete sociale dhe në medie, aq më shumë thellojnë krizën që po kalojmë si shoqëri duke dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve.

Burimi: Dosja.al