Deputeti Ervin Salianji është vetëdorëzuar në drejtorinë e policisë së Tiranës ku do të kryejë procedurat ligjore për ekzekutimin e vendimit gjyqësor, i cili e dënon atë me 1 vit burg për kallëzim të rremë. 

Salianji është pritur nga dhjetëra mbështetës të tij dhe të PD-së me përqafime dhe brohoritje, ndërsa sipas raportimeve me kolegët e tij demokratë ka vendosur të përshëndetet në selinë blu.

Si në fjalën e tij jashtë selisë dhe në fjalën para policisë, Salianji theksoi se pavarësisht kërkesës së grupit të PD për ngujim, ka vendosur që betejën e tij ta vazhdojë edhe pse në ambientet e burgut.

Demokrati u shpreh se opozita është më e mirë se mazhoranca dhe se vendosin të sakrifikojnë lirinë për të vërtetën. Po ashtu bëri thirrje për pjesmarrje në protestën e 6 tetorit. Pas vetëdorëzimit në Policinë e Tiranës, Salianji do të dërgohet më pas në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”. Prej aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do ta transportojë drejt Burgut të Fierit.

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi ditën e djeshme, 26 shtator 2024 vendimin për dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji. Salianji është dënuar së bashku me Albert Veliun, që pritet të vuaj dënimin me 10 muaj burg si dhe gazetarin Jetmir Olldashi me 100 orë punë komunitare.

Apeli në vendimin e sotëm, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rrëmë, në lidhje me një denoncim që ka bërë për vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.