Shifrat e fundit nga Indeksi i Miliarderëve të Bloomberg tregojnë se Zuckerberg e ka rritur pasurinë e tij personale me 73.4 miliardë dollarë në vitin 2024 në 201 miliardë dollarë. Kështu, CEO i Meta është personi i katërt më i pasur në botë, duke iu bashkuar “një klubi të pakapshëm” që numëron vetëm tre anëtarë të tjerë.

CEO i Tesla dhe X, Elon Musk (272 miliardë dollarë), Bezos (211 miliardë dollarë), themeluesi i Amazon dhe Arnault (207 miliardë dollarë) CEO i markës luksoze LVMH, janë të vetmit njerëz përpara Zuckerberg.

Zuckerberg, 40 vjeç, i cili lançoi Facebook-un në vitin 2004, ka një pjesë të madhe të pasurisë së tij të lidhur me aksionet e Meta Platforms. Siç bëhet e ditur, aksionet e Meta (META) janë rritur me gati 64% në 2024.

Aksionet e Meta fituan 0.9% për t’u mbyllur në një nivel rekord prej 568.31 dollarë. Meta operon platformat e njohura të mediave sociale Facebook, Instagram dhe Threads, si dhe aplikacionin e mesazheve WhatsApp.

Duke folur në ngjarjen Meta Connect 2024, Zuckerberg tha se Meta AI është në rrugën e duhur për t’u bërë asistenti më i përdorur në botë. “Ne jemi pothuajse në 500 milionë përdorues aktivë në muaj dhe nuk e kemi lançuar ende në disa nga vendet më të mëdha”-tha Zuckerberg, duke iu referuar vendeve në Bashkimin Evropian. Zuckerberg nuk është i vetmi manjat i teknologjisë që ka parë një rritje të madhe në pasurinë e tyre këtë vit.

Jensen Huang, CEO i Nvidia dhe Larry Ellison, bashkëthemelues i Oracle, kanë parë rritje të pasurisë së tyre neto në vitin 2024 me 62.2 miliardë dollarë dhe 58.6 miliardë dollarë, respektivisht. Mark Zuckerberg ka folur së fundmi për ‘gabimin 20-vjeçar’ që bëri gjatë drejtimit të Facebook. 40-vjeçari filloi të krijojë platformën në vitin e tij të dytë në Universitetin e Harvardit dhe tani ai është kryetar i Meta-s, kompania e cila gjithashtu zotëron Instagram-in. Ai konsiderohet si një nga biznesmenët më të suksesshëm në botë.