Liga e Kampionëve nisi javën e dytë me një shpërthim të golave, duke dhuruar spektakël në formatin e ri të kompeticionit. Në 9 sfidat e zhvilluara u shënuan plot 33 gola, duke përforcuar emocionet e këtij sezoni.

Në kryesfidën mes Bayer Leverkusen dhe Milanit, kampionët gjermanë triumfuan falë golit të Boniface, duke marrë tre pikët e radhës në "Bayer Arena". Ndërkohë, Milani ende mbetet pa pikë pas dy ndeshjeve të para, duke u vendosur në një pozicion të vështirë në grup.

Në një tjetër përballje madhështore, Arsenal mposhti PSG-në 2-0. Golat e Kai Havertz dhe Bukayo Saka në pjesën e parë i dhanë avantazhin "Topçinjve", të cilët menaxhuan lojën në mënyrë të shkëlqyer në pjesën e dytë për të marrë fitoren.

Barcelona, gjithashtu, tregoi dominim të plotë ndaj Young Boys, duke siguruar tre pikët e para në grup. Interi dhe Manchester City fituan bindshëm me nga katër gola, përkatësisht ndaj Crvena Zvezdas dhe Slovan Bratislavës.

Spektaklin më të madh e dhuroi Borussia Dortmund, e cila shënoi 7 gola ndaj Celtic, me Karim Adeyemi që spikati me një hat-trick, duke shkëlqyer në mbrëmjen e Champions-it.

Në sfidat e tjera, PSV dhe Sporting ndanë pikët me një barazim 1-1, po ashtu si Stuttgart dhe Sparta Prague. Brest, ekipi debutues, vazhdoi ecurinë e tij mbresëlënëse duke fituar 0-4 në transfertë ndaj Salzburg, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi.

Java e dytë e Champions-it përfundoi me shumë emocione dhe gola, duke premtuar një sezon plot surpriza.