Julian Deda ka reaguar pas një interviste të dhënë nga kolegu i tij Albano Bogdo, në të cilën ky i fundit ka përdorur gjuhë banale. Në një reagim publik, Deda shprehu keqardhjen e tij për drejtimin që ka marrë mënyra e të shprehurit e kolegut, duke theksuar se talenti i Bogdos është i mjaftueshëm për të mos përdorur fjalor të papërshtatshëm.
“Kam parë shumë video virale të bëra kohët e fundit, ku në qendër të videove është kolegu im, që ka bërë humor. Me thënë të vërtetën më ka ardhur keq që e kam parë në atë derexhe fjalori, jo se unë jam ëngjëll në të folur, por ka një gjë, ekrani në përgjithësi ka një lloj etike. E kërkon një lloj etike, për të cilën unë tregoj kujdes,” tha Deda.
Ai shtoi se Bogdo ka fituar publikun me talentin dhe humorin e tij, prandaj nuk ka nevojë të shkojë në këtë drejtim. Sipas Dedës, përmbajtja e paraqitur në ekran kërkon një nivel etik që duhet respektuar, duke pasur parasysh ndikimin që ka te publiku, veçanërisht gjatë orareve të transmetimit.
"Nuk jam kundër përmendjes së disa fjalëve tek tuk, aty ku shkon, rri fiks, por nëse bëhet qëllim në vetvete nuk është më art. Prandaj them që duhet të kemi shumë kujdes. Unë personin në fjalë e kam pasur koleg dhe e kam koleg, është shumë i talentuar, por kur e shikoj në këto lloj rrethanash them pse, arsyet pse është në këtë derexhe."
Deda përfundoi me këshillën për kolegun e tij: “Ti vëlla nuk ke nevojë të shkosh në këtë lloj niveli sepse ti ke talent. Publiku të do për atë që je dhe për mënyrën si ke përcjellë humorin tënd deri tani.”
@juldeda_ Me shume dashamiresi...!
? original sound - Jul Deda