Kiara Tito është personazhi i parë që ka hapur dyert e shtëpisë së saj për rubrikën e re të emisionit “Goca & Gra”, të quajtur “Shtëpia e VIP-ave”. Gjatë kësaj vizite, ajo ndau disa detaje interesante rreth ambientit të saj familjar dhe projekteve që po punon aktualisht.

Gjatë prezantimit të shtëpisë, Kiara tha se kanë vendosur kamera brenda, duke bërë një shaka: “Luizi na vëzhgon”. Ajo më pas tregoi arsyen e instalimit të kamerave. “Kemi vendosur kamera për çështje sigurie. Bëj shaka. Në fakt, plani ishte që kur të zhvendoseshim këtu, në rast se gjyshet nuk do kishin mundësi për t’u kujdesur për bebushen, do merrnim një dado. Por falë Zotit e kemi rregulluar dhe kamerat do të hiqen shumë shpejt”, shpjegoi ajo.

Kiara ndau gjithashtu emocionet që ka përjetuar gjatë pritjes dhe lindjes së vajzës së saj, Lunës. “Pritja e Lunës më ka mësuar që të zbuloj te vetja një forcë të brendshme që nuk e dija që e kisha. Pas lindjes ka qenë e vështirë, e gjeja veten duke qarë nga gjërat më banale. Por falë familjarëve e kalova”, tha ajo, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare në këto momente të ndjeshme.

Përtej jetës personale, Kiara zbuloi se përveç angazhimit të saj në spektaklin “Portokalli”, ajo po punon edhe për një projekt tjetër që lidhet me televizionin. Ajo përmendi se pjesë e këtij projekti do të jetë edhe partneri i saj, Luizi, duke lënë të kuptohet se do të shohim të dy bashkë në ekran në të ardhmen.