Pak orë na ndajnë nga protesta e paralajmëruar e opozitës e cila do të mbahet ditën e sotme në orën 18:00. Në lidhje me protestën dhe masat e marra Policia e Shtetit ka ndarë planin e saj me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë.
Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale policia dje bëri me dije se ditën e sotme në Tiranë, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi "Nënë Tereza" dhe në rrugët:"Ukraina e Lirë", "Papa Gjon Pali II" dhe "Ismail Qemali". Gjithashtu mësohet se në terren do të jenë më shumë se 1 mijë forca policore.
Po ashtu Policia thotë se në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe në këto akse rrugore:
Kafe “Europa” - Segmenti "Ushtari i panjohur" deri te 9-katëshet;
Shkolla "1 Maji" - kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;
Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;
Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;
Kryqëzimi i Librit Universitar;
Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla "Sabaudin Gabrani";
Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;
Rrethrrotullimi "Zogu i Zi";
Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;
Kryqëzimi i urës së Taiëanit;
Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;
Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;
Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;
Rruga "Dritan Hoxha", përpara vendit të quajtur “Kupola”;
Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.
Gjithashtu, Policia e Shtetit shtoi se kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim. Në njoftim thuhet se Policia apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cënon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve.