Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se janë duke u zhvilluar negociata për të krijuar fluturime të drejtpërdrejta mes Tiranës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në New York, Rama konfirmoi se po bashkëpunojnë me kompaninë ajrore Delta për të mundësuar këtë linjë, një hap që do të lidhë më afër dy vendet dhe do të jetë një lehtësi për shumë shqiptarë.
“Nuk e di kur do të përfundojnë këto negociata, por mund të them se po bëjmë të pamundurën për të siguruar një lidhje direkte midis Shqipërisë dhe SHBA-së,” tha Rama. Ai gjithashtu nënvizoi se përpjekjet për linjat transoqeanike po mbështeten edhe nga hapja e ardhshme e aeroportit të Vlorës, i cili do të ketë pistën më të gjatë në rajon, duke e bërë të përshtatshëm për fluturime ndërkontinentale.
Me rritjen më të lartë të trafikut ajror në Evropë, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për linjat ajrore ndërkombëtare. Rama theksoi rëndësinë e hapjes së linjës direkte, duke shtuar se është një hap strategjik që do të lidhë shqiptarët e Amerikës më afër me vendin e tyre të origjinës.