Vetëm pak ditë pas ndarjes tragjike nga jeta të Liam Payne, është zbuluar një këngë e papublikuar e këngëtarit, e titulluar “Do No Wrong”. Kjo këngë, e regjistruar disa muaj para vdekjes së tij, është krijuar në bashkëpunim me motrën e tij, Ruth Gibbins. Ajo ka emocionuar fansat dhe ka shkaktuar nostalgji të madhe në rrjetet sociale.

Kënga ishte shumë e veçantë për ish-anëtarin e One Direction, pasi ishte projekti i parë që ai regjistroi me motrën e tij. Sam Pounds, i cili kontribuoi në këtë këngë, e përshkroi atë si diçka të veçantë për Payne dhe ndau një video të shkurtër në të cilën mund të dëgjohet një fragment i saj.

Edhe pse një pjesë e këngës u publikua, ajo do të publikohet zyrtarisht në platformat muzikore digjitale të premten, më 1 nëntor. Gjithashtu, është publikuar edhe kopertina e këngës, ku shfaqet një burrë me krahë engjëlli dhe një zemër në qendër, si dhe një tjetër zemër në majë, duke u interpretuar si simbolikë e luftës që po bënte artisti dhe sfidave që po kalonte.

Pas njoftimit për këtë publikim të ri nga ish-anëtari i One Direction, shumë fansa shprehën dëshirën për ta dëgjuar atë zyrtarisht, duke theksuar se kjo është muzika që Payne gjithmonë ka dashur të krijojë.