Artistja Bleona Qereti ka zbuluar detaje të reja për projektet e saj muzikore dhe angazhimet në kinematografi. Ajo gjithashtu ndau disa detaje për jetën personale, duke theksuar se martesa dhe fëmijët mund të jenë pjesë e planeve të saj të ardhshme.

Në lidhje me tekstin e këngës “Stani,” ku ajo ironizon mungesën e një burri, Bleona shpjegoi: “Është e vërtetë që nuk kam burrë dhe e solla këtë në ‘Stani’ si një mënyrë për të ironizuar. Ideja e ‘Nuk kam burrë’ quhet si ‘handicap’ dhe nuk është aspak ashtu. Prandaj thashë ‘Ups, harrova që nuk kam burrë’ në këngë. Burrë s’kam, por një tigër e kam”, tha Bleona në një lidhje Skype në emisonin “Pardon My French”.

Në një moment emocional, ajo i drejtoi një premtim prindërve të saj, që po ndiqnin intervistën nga Shqipëria, duke shprehur dashurinë dhe mirënjohjen për mbështetje

“Për faktin që këtë intervistë po e ndjek Oli, e cila është në Shqipëri bashkë me babin. Doja të thoja që kam në plan për t’u martuar, për të bërë fëmijë. Jo realisht nuk po e ironizoj sepse realisht janë në planet e mia, të afërta apo të largëta nuk e di sepse nuk jam Zoti. Por duke qenë se tani pothuaj unë karrierën time e kam vënë në një lloj vije aty ku unë dua që të eci ujë si Bleonë dhe si artiste, tani pjesa tjetër sigurisht është ajo private, e cila ka nevojë për një balancim,” u shpreh Bleona, duke i premtuar ndjekësve e sidomos dy prindërve të saj, që pas projekteve të reja muzikore, do t’i kushtojë më shumë vëmendje këtij aspekti të rëndësishëm të jetës së saj.