Për të funksionuar siç duhet, trupi juaj ka nevojë për 13 vitamina: 9 prej të cilave janë të tretshme në ujë dhe 4 të tretshme në yndyrë. Edhe pse këto lëndë ushqyese gjenden në ushqim në sasi të ndryshme, disa individë mund të kenë nevojë për suplemente për të përmbushur mungesat. Shumica e vitaminave mund të merren në çdo kohë të ditës, por disa përfitohen më mirë nën kushte të caktuara. Këtu janë disa udhëzime për marrjen e vitaminave:

Vitaminat e tretshme në ujë
Këto përfshijnë vitaminën C dhe tetë vitaminat e kompleksit B (B1, B2, B3, B5, B6, B7, B9 dhe B12). Është e rëndësishme t’i konsumoni rregullisht, sepse ato nuk ruhen në trup dhe dalin shpejt përmes urinës.

Vitamina C
Funksionon si një antioksidant i fuqishëm, forcon imunitetin dhe ndihmon në formimin e kolagjenit. Mund ta merrni në çdo kohë, me ose pa ushqim. Ruani suplementet në një vend të freskët dhe të errët për të ruajtur efektivitetin e tyre.

Vitaminat B 
Mund të merren me ose pa ushqim, por rekomandohet t’i konsumoni në mëngjes për të përmirësuar metabolizmin dhe energjinë. Në veçanti, vitamina B12 duhet marrë me stomakun bosh për një përthithje maksimale.

Vitaminat e tretshme në yndyrë
Këto vitamina varen nga yndyra për t'u përthithur siç duhet dhe është mirë t’i merrni gjatë një vakti që përmban yndyra të shëndetshme.

Vitamina A
Disa individë, si gratë shtatzëna ose ata me probleme në përthithjen e lëndëve ushqyese, janë më të rrezikuar nga mungesa e saj. Është e rëndësishme ta merrni me një vakt që përmban yndyrë për një përthithje optimale. Nëse ndiqni një dietë të ekuilibruar, marrja e suplementeve të vitaminës A nuk është e nevojshme dhe rekomandohet të konsultoheni me mjekun përpara se ta filloni.

Vitamina D
Vitamina D është thelbësore për forcimin e imunitetit, shëndetin e kockave dhe rritjen qelizore. Më shumë se 1 miliard njerëz në botë kanë mungesë të kësaj vitamine. Ajo mund të merret në çdo kohë të ditës, por shumica e suplementeve rekomandohen të merren me vakte që përmbajnë yndyrë për të siguruar përthithjen optimale. Është e rëndësishme të keni nivele të mjaftueshme magnezi, pasi aktivizimi i vitaminës D varet nga kjo. Gjithashtu, disa vitamina të tretshme në yndyrë, si vitamina E, mund të ndikojnë në përthithjen e saj.

Vitamina E
Vitamina E është një antioksidant i fuqishëm që mbështet qarkullimin e shëndetshëm të gjakut dhe sistemin imunitar. Mungesa e saj është e rrallë, por mund të ndodhë te njerëzit me sëmundje si fibroza cistike. Nuk është e nevojshme ta merrni gjithmonë me një vakt me yndyrë, për sa kohë konsumoni mjaft yndyrë në ushqim. Megjithatë, kujdesi është i nevojshëm, pasi marrja e tepërt e vitaminës E në formë suplementi mund të shkaktojë dëme.

Vitamina K
Vitamina K është e nevojshme për koagulimin e gjakut dhe shëndetin e kockave e zemrës. Mund të merrni suplemente të saj në çdo kohë të ditës, preferohet me një vakt ose meze që përmban yndyrë. Shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm vitaminë K nga dieta, kështu që suplementet me doza të larta nuk rekomandohen, përveç nëse mjeku e sugjeron këtë për shkak të ndonjë sëmundjeje.

Multivitaminat
Multivitaminat përmbajnë një gamë vitaminash dhe mineralesh, dhe shumë njerëz i preferojnë ato për shkak të përshtatshmërisë dhe kosto së ulët. Ato zakonisht përmbajnë vitamina të tretshme në yndyrë dhe në ujë, kështu që rekomandohet t’i konsumoni me një vakt. Kjo ndihmon në përmirësimin e përthithjes së lëndëve ushqyese dhe redukton rrezikun e shqetësimeve gastrointestinale që mund të ndodhin nëse merret me stomakun bosh.