Shqipëri, 1997. Një dërgatë e çuditshme dhe misterioze amerikanësh mbërrin në një Shqipëri në zgrip. Kaosi, frika, krismat, rrëmbimet, do të jenë sfondi dhe përditshmëria që do t’i shoqërojë gjatë zgjidhjes së një enigme tronditëse.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një avion amerikan rrëzohet në një zonë të humbur të Shqipërisë së Jugut dhe gjithë ekuipazhi zhduket pa lënë gjurmë. Pesëdhjetë vjet më vonë, një grup amerikanësh me një shqiptar në krye, enden mes marrisë së vitit 1997, në kërkim të fantazmave të së shkuarës.
“I rënë nga qielli” merr shkas nga një ngjarje e vërtetë, e cila shkrihet me fantazinë e autorit për të treguar besnikërisht Shqipërinë e buzëhumnerës. Romani përshkruan në mënyrë të pamëshirshme një periudhë të rëndë në historinë e Shqipërisë përmes një galerie personazhesh, që nga banditët e rrugëve e deri te diplomatët e huaj. Në këtë libër përzihen bashkë partizanët, nacionalistët, aleatët, pushtuesit, Sigurimi i Shtetit, bandat e ’97-ës. Shqipëria është në luftë, më pas paqen e kalon si në luftë dhe në fund hyn sërish në luftë.
“I rënë nga qielli” na e kthen më në fund Tom Kukën në ditët e sotme, megjithëse vetë shkrimtari e ka për zemër të bredhë në të fshehtat e kohërave të vjetra, të flasë me të vdekurit dhe të përhumbet në legjenda.
Ky libër mbështetet në historinë e vërtetë të Romeo Zegalit. Megjithatë, “I rënë nga qielli” është një trillim i autorit, ndaj përputhja e ndonjë personazhi me persona të vërtetë është krejt rastësi.Fragmente nga libri
Autori “I rënë nga qielli” është romani i gjashtë i shkrimtarit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Botime Pegi ka botuar “Hide mbi kalldrëm” (2017), “Gurët e vetmisë” (2018), “Ora e ligë” (2019), “Flama” (2021), dhe “Rrethimi” (2022). Tom Kuka është fitues i çmimit “Romani më i mirë i vitit” dhënë nga Ministria e Kulturës më 2018, për romanin “Gurët e vetmisë”. Gjithashtu, më 2021, romani “Flama” u nderua me Çmimin Europian të Letërsisë. Romanet e tij janë botuar në Itali, Gjermani, Serbi dhe Bullgari.
Fragmente nga libri
1) Njerëzia digjte, i vinte urat e zjarrit çdo gjëje që merrte flakë. Të vetëtitur prej marrisë suleshin ku të mundnin, ku kishte letra, fletë, faqe të shkruara, libra, revista, regjistra, shënime, shkronja. Popujt jetojnë me kujtime, përveç shqiptarëve që nuk duan të mbajnë mend, ndaj kishin një dëshirë të madhe ta kthenin çdo gjë në pluhur e hi. Letrat e kishin fajin, se ato, po t’i shkruaje një herë, do të mbeteshin të këtilla përherë. Nuk do të ndalonin kurrë së kujtuari, asnjëherë, ndaj ata i gjenin të fshehura në sepete, bimsa, nënçati, poshtë dritareve, të vendosura stivë në shkolla, burgje, çerdhe fëmijësh dhe i bënin shkrumb e hi.
2) Dogjën ç’u doli përpara, tapi në hipotekë, rrëfime në hetuesi, dëshmi lindjesh, martesash, ndarjesh, prona të humbura a të fituara me gjyq, letra me vlerë, fletë me kallëzime fuksash, histori të shkruara keq, kujtime të burrave të mençur, vargje rapsodësh, kartela fëmijësh kopilë të dështuar fshehtas, lista të vdekurish, autopsi të morgut, shënime mjekësh, libra të parashikuesve të fatit, këngë të atyre që nxirrnin djallin nga shishet, rite të pjekjes së rakisë, receta si tymoset mishi, si bëhen zahiretë, mënyrat si thuren dantellat me grep, ngjarje të rrëfyera nga gra dikur të bukura, makthe netësh verore të vajzave jo të bukura, poezi qaramane mbrëmësore, libra të shenjtë, doracakë, urdhëresa, rregulla drejtshkrimi, kanune të kishës, fatva të xhamisë, llogari qethtoreje, ditarë të thertoreve, copëza mendimesh të rojave të pularive, ode pa rima të moshës së pubertetit, mallkime fshatarësh, nëma magjistarësh…