Të martën e kaluar, Francesco Totti dhe Ilary Blasi u takuan përsëri në gjykatë për një seancë të re në lidhje me divorcin e tyre të trazuar. Siç raporton gazeta Repubblica, para dëshmitarëve dhe kuriozëve, ish-çifti shkëmbyen një shtrëngim dore. Një gjest paqeje që nuk kaloi pa u vënë re, pasi vjen pas një lufte të gjatë mes të dyve, e cila ka përfshirë jo vetëm betejat ligjore (e famshme mbetet "sfida e çantave dhe Rolex-ve") por edhe akuza të ndërsjella publike për tradhti. Me sa duket nga ky gjest, tensionet mes tyre janë zbutur. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Ilary dhe Francesco do të arrijnë të mbyllin këtë çështje me një marrëveshje jashtëgjyqësore.
Ende janë disa çështje në lojë: ndarja e vilës së familjes në zonën e Eur-it, kujdestaria e fëmijëve dhe shuma e pagesës së mirëmbajtjes. Në një vendim të përkohshëm të vitit të kaluar, ishte vendosur që për fëmijët Cristian, Chanel dhe Isabel, Totti do të paguante një shumë prej 12,500 euro në muaj, përveç 40,000 eurove në vit për shkollimin e Chanel dhe Isabelit. Por sipas gazetës Il Messaggero, Ilary kërkon që shuma e mirëmbajtjes për fëmijët të rritet në 18-20 mijë euro, duke argumentuar se të ardhurat e saj janë ulur për shkak të ndërprerjes së kontratës me Mediaset për drejtimin e "Isola dei Famosi". Ndaj kësaj kërkese, avokatët e Tottit kanë paraqitur si kundërargument projekte të fundit të Blasit, si emisioni "Battiti" dhe dokumentari "Unica" (nga i cili thuhet se Blasi ka fituar 700,000 euro).
Megjithatë, pika kyçe e divorcit mbetet ndarja e fajit, pra të kuptohet kush prej bashkëshortëve ka tradhtuar i pari. Të dyja palët këmbëngulin se martesa ka përfunduar për shkak të tradhtisë (ose tradhtive) të tjetrit. Totti, në një intervistë për Corriere della Sera në shtator 2022, pohoi se historia e tij me Noemi Bocchi filloi në janar 2022, disa muaj pasi kishte zbuluar tradhtinë e Ilary-t. Kjo version u konfirmua edhe nga Cristiano Iovino, trajneri personal dhe i dyshuari si i dashuri i Blasit. Ndërkohë, në dokumentarin "Unica", Blasi mohoi një marrëdhënie me Iovinon, duke thënë se kishin pirë vetëm një kafe së bashku. Ajo gjithashtu shkroi në librin e saj "Che stupida" se lidhja mes Tottit dhe Noemit kishte filluar në janar 2021 – një vit më herët nga sa kishte thënë Totti në intervistën e tij.