Artisja e mirënjohur Elsa Lila ka ndarë detaje të ndjera nga përvoja e saj në burgun italian, gjatë një interviste të fundit me gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “DritareTV.”
Gjatë bisedës, Lila rrëfeu arsyet e forta që e shtynë të mos e takonte vajzën e saj, Evitën, gjatë dy muajve të vështirë që kaloi në qeli. Pavarësisht dhimbjes së ndarjes së përkohshme nga vajza e saj, Lila shpjegoi se qëllimi i saj ishte të ruante kujtesën e Evitës nga një imazh i tillë.
Duke folur për forcën që i dha lidhja shpirtërore me vajzën e saj, Lila tregoi se, ndonëse kishte mundësinë të takonte familjarët të enjten, nuk e pranoi kurrë takimin me të. “Arma më e fortë që unë kam është vajza ime,” tha ajo, duke shtuar se kjo lidhje ishte forca e saj më e madhe. “E dija shumë mirë që isha e pafajshme dhe se nga dita në ditë do të dilja nga qelia,” shpjegoi këngëtarja, “ndaj nuk doja që vajza ime të kishte një kujtim të tillë të nënës së saj, në një vend të ashpër dhe me një energji kaq të rëndë.”
Sipas Lilës, takimi njëorësh në kushte burgimi mund të kishte lënë një gjurmë të thella dhe të dhimbshme te vajza e saj. Në vend të kësaj, ajo zgjodhi t’i kursente një përvojë të tillë të vështirë dhe të mundimshme.
Elsa Lila u arrestua në Itali në vitin 2022, nën dyshime për përfshirje në një organizatë kriminale, por u lirua më vonë. Në këtë periudhë, ajo tregon se forca që e mbajti të qetë dhe të motivuar ishte pikërisht mendimi për vajzën dhe dëshira për t’i ruajtur asaj kujtesën e një nëne të fortë dhe pozitive.