Në ditët e Panairit të Librit duket se tek çdo njeri përforcohet dëshira e leximit.
Këtu gjeni 5 sugjerime librash që mund të blini në këtë panair në stendën e Shtëpisë Botuese Pegi:
Parajsa artificiale
“Parajsa artificiale” përshkruan 24 orë nga marrëdhënia romantike, e njëkohësisht e çuditshme, e Simon Shuterit, një burri në moshë të mesme, dhe një vajze njëzeteshtatë vjet më të re.
Vajza vuan raportin e vështirë të dyprindërve, të cilët kanë pasur luhatje në jetën bashkëshortore. Ajo i kërkon të dashurit të saj, ta ndihmojë në mënyrë që prindërit të mos ndahen.
Atëherë, Simon Shuteri, për hatër të të dashurës së re dhe naive, do të përpiqet të trillojë realitete paralele ku do të ndërthuren dhe bashkëveprojnë historia, luftërat tradicionale dhe konfliktet kibernetike, fetë dhe Inteligjenca Artificiale.
Ky rrëfim i shkruar thjesht, me dialogë të shpejtë dhe provokues, shpalos për lexuesin jo vetëm një histori dashurie atipike, por edhe një sërë tematikash bashkëkohore të rëndësishme.
Romani është i ndarë në dy pjesë të shkurtra. Në pjesën e parë, që titullohet Ferri, rrëfehet për një një luftë imagjinare mes Iranit dhe Shqipërisë të cilën Simon Shuteri e sajon me mjeshtëri, duke përdorur disa fakte të vërteta historike që lidhin dy vendet.
Ndërsa, në pjesën e dytë, që titullohet Parajsa, përmes pyetjeve naive të vajzës dhe përgjigjeve të çuditshme të Simon Shuterit, gjejmë një përshkrim përrallor të jetës në kohën e Inteligjencës Artificiale.
Inteligjenca Artificiale do të ndryshojë botën, duke zhdukur përfundimisht tre armiqtë më të mëdhenj të njeriut, thotë Simon Shuteri: Zotin, paranë dhe punën fizike. Nuk do ketë më të varfër dhe as të pasur, nuk do ketë më shtet dhe as demokraci, por njerëzit do jenë të gjithë të barabartë dhe të lumtur.
Jeta e shkurtër e Lukas Santanës
Lukas Santana është një gangster i ri me origjinë meksikane, ushtar i thjeshtë i një prej bandave më të egra të Rio Grandes, në Teksas. I dënuar padrejtësisht me vdekje, ndonëse nuk ka vrarë askënd, i kalon dhjetë vjetët e fundit të jetës i mbyllur në qeli, në pritje të ekzekutimit. I zhytur në dëshpërim, do të orvatet disa herë të kryejë vetëvrasje. Pranë do t’i qëndrojnë njerëz me humanizëm të jashtëzakonshëm. Mbi të gjitha, Beatris Masedo, e cila do të heqë dorë nga ëndrrat e saj rinore për ta shoqëruar Lukasin në të mirë e në të keq për hir të dashurisë së marrë që ndien për të.
“Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” nuk është thjesht një roman, por historia e vërtetë e një djaloshi teksan, të cilin Donesi e ka shoqëruar përgjatë verës së mbrame të jetës së tij. Ai është një reflektim mbi dënimin kapital dhe mënyrat perverse të shfrytëzimit të sistemit të drejtësisë, mbi kthesat ogurzeza të fatit dhe përpjekjet e dëshpëruara të shtresave të margjinalizuara për të kaluar një prag të pakapërcyeshëm, një pasqyrë e vetëmohimit të grave në çfarëdolloj sistemi.
Më quajnë Lusi Barton
Pas një operacioni që duhej të ishte fare i thjeshtë, Lusi Barton fillon ta marrë veten dalëngadalë. E ëma, me të cilën nuk ka folur prej vitesh, vjen që ta shohë.
Në një dhomë spitali në zemër të Manhatanit, përpara vezullimit të qiellgërvishtësit Chrysler që ngrihet përtej dritares, dy gratë kuvendojnë gjatë.
Ndonëse lidhja e tyre dukej e prerë, rrjedha e fjalëve ndoshta mund të shuajë zhurmën shurdhuese të gjërave të pathëna.
Thashetheme të vogla për njerëz nga fëmijëria e Lusit, duket se i lidhin sërish, por nën sipërfaqe fshihen tensionet dhe dëshirat që kanë karakterizuar çdo aspekt të jetës së Lusit: arratia e saj nga familja e trazuar, pasioni për t’u bërë shkrimtare, martesa, dashuria për dy vajzat e saj.
Në atë dhomë spitali, për pesë ditë e net, dy gratë nuk janë gjë tjetër veçse gjëja më e lashtë, më e rrezikshme dhe më prekëse në botë: nënë e bijë që kujtohen sa e duan njëra-tjetrën.
Gjithë jeta që mbetet
Gjithë jeta që mbetet” fillon me ditën e fundit të jetës së mëparshme. Jeta e mëparshme ishte pothuajse e përsosur, në papërsosmërinë e saj. Familja Ansaldo përbëhej nga dy prindër të dashuruar me njëri-tjetrin, edhe pse në moshë të mesme, dy fëmijë të lumtur, sipas mënyrës së tyre, dhe një mirëqenie ekonomike që nuk shkaktonte as marramendje e as vuajtje. Familja Ansaldo pluskonte në një përditshmëri mesatare, pothuajse të mërzitshme, që mund të synohet nga shumëkush. Derisa drama i fshikullon dhimbshëm, thershëm dhe pa kthim.
Jeta vazhdon dhe këtu rrëfehet, jo vetëm ajo çka mbijeton pas dhembjes, por çka që duhet të mësojmë të rikrijojmë pas tragjedisë. Është jeta që vijon përmes vuajtjeve dhe dështimeve, jeta që gjen gjithnjë një mundësi të rilindë edhe atëherë kur gjithçka ngjan e humbur. Ky roman flet për shëlbim, ngushëllim dhe dashuri.
Në dhembjen më mizore gjendet gjithnjë një mundësi për t’u ringritur. Jeta vazhdon të regëtijë nën syprinën e ditëve të errëta, si një premtim i brishtë, por qëndrestar ringjalljeje.
“Gjithë jeta që mbetet” është një roman i ëmbël, i dhembshëm, intim dhe koral, që eksploron mekanizmat e turpit dhe të zisë, por mbi të gjitha tëdashurisë dhe të përkujdesjes dhe i nxjerr në pah me një delikatesë të mahnitshme.
Shah Mat
Mallori Grinlif i ka mbyllur hesapet me shahun për shkak të një ngjarjeje të rëndë familjare. Kjo, deri në çastin që pranon të luajë në një turne bamirësie dhe gjendet ballë për ballë me kampionin e botës në shah, Nolan Sojer, i cili gëzon dhe famën e “djalit të keq”.
Humbja e Nolanit me një shahiste të re, i lë të gjithë me gojë hapur. Por më e çuditshmja është dëshira e tij për të luajtur sërish me të. A s’do të ishte më mirë që Malloria të ikte, të dorëzohej, t’i jepte fund lojës?
Ndërsa ngjitet gjithnjë e më lart në klasifikim, vajza fillon të kuptojë që lojërat nuk mbeten vetëm në fushën e shahut dhe gara bëhet më e “egër”, më tërheqëse, më intriguese.