Zëvendësdrejtori i Krimit në Tiranë, Erion Ismaili, ka zbuluar itinerarin e ndjekur nga Mario Përlleshaj, autori i dyshuar i vrasjes së Martin Canit, pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik.
Sipas Ismailit, Përlleshaj fillimisht ka përdorur një monopatinë për të shkuar në një qendër shëndetësore. Më pas, ai dhe një shok i tij, i cili nuk ishte i përfshirë në konflikt, kanë marrë një taksi për të shkuar në Spitalin Ushtarak, duke ndjekur këshillën e babait të autorit. “Foton e dorës së plagosur e ka bërë në taksi. Ia ka bërë një shoku i tij, të cilin e ka takuar tek rrethrrotullimi Avni Rustemi,” tha Ismaili, duke konfirmuar se ky shok nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Ismaili sqaroi gjithashtu se thika e përdorur në vrasje nuk është ajo që është postuar në rrjete sociale. “Nga ekzaminimi i thikës që kemi gjetur, ka mbetje gjaku, por analizat janë ende në proces. Procesi hetimor vazhdon dhe do të dalim së shpejti në një përfundim përfundimtar. Ajo që kemi publikuar në komunikatën e policisë është e vërtetë,” theksoi ai, duke kundërshtuar spekulimet që janë bërë në lidhje me ngjarjen.
Hetimet për vrasjen e rëndë dhe për rrethanat që çuan në konfliktin tragjik vijojnë intensivisht nga autoritetet.