Luis Meçja, 14-vjeçari që u plagos me thikë gjatë sherrit të dhunshëm ku shoku i tij, Martin Cani, humbi jetën, ka dalë nga spitali pas kujdesit mjekësor. Ai dhe Martin Cani u goditën me thikë nga një moshatar i tyre, Mario Prelleshaj, i cili tashmë është arrestuar dhe ndodhet në institucionin për të mitur në Kavajë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe, ndërkohë që Luis ka deklaruar se dy persona ishin përfshirë në sulm, Policia ka mohuar këtë version, duke theksuar se hetimet dhe provat e mbledhura, përfshirë pamjet filmike, provojnë se vetëm Mario Prelleshaj është autori i vrasjes.
Në një komunikatë zyrtare, Policia e Shtetit sqaroi se hetimet kanë konfirmuar se autori i vrasjes, Mario Prelleshaj, është goditur dhe shtrirë në tokë nga viktima Martin Cani dhe shoku i tij Luis Meçja. Pas kësaj, Prelleshaj ka reaguar duke goditur me thikë, duke plagosur Luisin dhe duke çuar në vdekjen e Martin Cani.
Sipas policisë, të gjitha provat dhe dëshmitë nga personat e pranishëm në vendngjarje konfirmojnë se nuk ka pasur një të dytë që ka përdorur thikën gjatë ngjarjes.