Në një rrëfim prekës në podcast-in “Zë me Mirën,” këngëtarja e njohur Adelina Ismaili ndau një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, kur përballja me sulme brutale për shkak të bindjeve politike dhe mbështetjes për Ibrahim Rugovën ia vështirësoi jetën, pavarësisht famës dhe suksesit të madh.

Adelina zbuloi se në kulmin e popullaritetit të saj, bisedat private me nënën po përgjoheshin në mënyrë të paligjshme, duke çuar në një publikim të turpshëm dhe sensacional në një gazetë të njohur në Kosovë, sot një ndër portalet më të mëdha. “Djali që punonte në postë më tregoi. Ai më tha se bisedat e mia dhe të mamit po përgjoheshin. Një bisedë shumë personale mes meje dhe mamit, që nuk kishte asgjë të pazakontë, u publikua dhe u shtrembërua për të krijuar një titull vulgar,” kujtoi ajo.

Këngëtarja tregoi se pas këtij episodi nuk mundi të përballej me realitetin për tre muaj. “Nuk shkova në shkollë, nuk mund t’i shikoja profesorët e mi. U mbylla në dhomë, nuk ngrita perdet. Nëna më sillte ushqimin. Ishte një periudhë shumë e rëndë sepse ndjeva se ishin shkelur të gjitha kufijtë.”

Adelina tha se kjo përvojë ka lënë gjurmë të thella në jetën e saj, duke shtuar se edhe sot e ka të vështirë ta rikujtojë atë kohë, që për të shënon një plagë të hapur në karrierën dhe jetën e saj personale.