Kënga historike "Mora Fjalë", që ishte kryefjalë në çdo stadium pas kualifikimit të Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë, është ndaluar tani që të këndohet. Ky vendim ka shkaktuar reagime nga figura të njohura të sportit dhe muzikës shqiptare, si Lorik Cana dhe Shkurte Fejza.
Artistja Shkurte Fejza, e cila e ka kënduar këtë këngë me pasion dhe emocione të thella, u shpreh se ndalimi i saj është "i pakuptimtë". Ajo theksoi se "Mora Fjalë" është një këngë e lidhur me një figurë të shenjtë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe se kjo këngë ka marrë dimensione speciale në stadiume. "Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjtë që ka Kosova dhe Shqipëria", tha Fejza, duke shtuar se kënga është pjesë e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve. “Unë jam ndier shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë.”, tha artistja.
Nga ana tjetër, ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, ka komentuar se asgjë nuk mund të ndalojë tifozët që ta këndojnë këtë këngë. Cana e cilësoi këngën "Mora Fjalë" si një himn të popullit shqiptar, që përmban sakrificat dhe historinë e kombit. Ai shtoi: "Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume. Dhe kur këndojnë tifozët, askush nuk mund t’i ndalë."
“E lexova pak në rrjete. Nuk është se kam pasur një vëmendje të madhe, por është një fat që e kemi një Shkurte Fejzaj që për ne në Kosovë është një figurë e veçantë. Sa i përket pjesës së këngës, të them të drejtën nuk jam shumë brenda ngjarjes, por një gjë është e sigurt, mos t’i japim aspekt negativ. Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume. Dhe kur këndojnë tifozët, askush nuk mund t’i ndalë. Nuk e shoh që të mbahet si polemikë. Sa i përket këngës “Mora fjalë”, është këngë e popullit tonë, e sakrificave dhe kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”, tha Cana.
Reagimet e të dyve kanë theksuar se kjo këngë nuk është vetëm një pjesë e kulturës, por një shprehje e unitetit dhe krenarisë kombëtare, duke refuzuar të shndërrohet në një polemikë.