Reperi i njohur portorikan, Daddy Yankee, ka konfirmuar ndarjen nga bashkëshortja e tij Mireddys González pas një martese të gjatë prej 28 vitesh. Lajmi u bë i ditur nga vetë artisti, emri i vërtetë i të cilit është Ramón Luis Ayala Rodríguez, përmes një postimi në Instagram Story më 2 dhjetor.
“Me zemër plot respekt dhe ndershmëri, dua të ndaj një lajm të rëndësishëm për jetën time personale,” shkruhej në mesazhin e tij.
Daddy Yankee theksoi se ndarja erdhi pas disa muajsh përpjekjesh për të shpëtuar martesën e tyre, duke treguar se avokatët e tij kishin marrë një kërkesë për divorc nga Mireddys. “E respektoj vendimin e Mireddys,” shkroi ai, duke shtuar se e vlerëson kohën e kaluar së bashku, të mbushur me “bekime, vlera, dashuri dhe një familje të bukur që do të mbetet gjithmonë prioritet.”
Në deklaratën e tij, artisti i njohur si “Mbreti i Reggaeton-it” përmendi fëmijët e tyre, Jesaaelys, 28 vjeçe, dhe Jeremy, 26 vjeç, si dhe vajzën tjetër nga një marrëdhënie e mëparshme, Yamilet. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të familjes gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe kërkoi respekt për privatësinë e tyre.
“E di që ky lajm mund të surprizojë shumë njerëz. Ju falenderoj për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar. Kjo do të jetë e vetmja deklaratë që do të jap,” përfundoi Daddy Yankee.
Çifti ka qenë mjaft privat për marrëdhënien e tyre ndër vite. Në një intervistë për People en Español në 2022, Daddy Yankee e quajti familjen e tij “gjënë më të bukur” në jetën e tij, duke shtuar se gruaja dhe fëmijët ishin arsyeja përse punonte çdo ditë për të krijuar një të ardhme më të mirë për ta.
Në një intervistë për Billboard në 2017, ai tregoi se Mireddys ishte dashuruar me “Raymond Ayala” dhe jo me “Daddy Yankee,” duke e cilësuar atë si “gruan e duhur,” pasi e kishte njohur përpara se të bëhej i famshëm.