Kate Cassidy, e dashura e këngëtarit të njohur Liam Payne, është kthyer në SHBA pas vdekjes tragjike të yllit të “One Direction”. Por, sipas miqve të saj, ajo po përballet me një mënyrë jetese krejtësisht të ndryshme nga ajo që kishte gjatë kohës që ishin bashkë.
Burime për Page Six kanë zbuluar se Payne i ofronte Cassidy-t, një influencuese 25-vjeçare, një shumë prej 10,000 dollarësh në muaj për shpenzimet e saj të jetesës dhe gjithashtu e linte të përdorte kartën e tij të kreditit për veshje dhe gjëra të tjera, që shpesh arrinin deri në 25,000 dollarë në muaj.
Kate shpesh shkonte për blerje me stilisten dhe mikeshën e vjetër të Payne, Adele Cany, shërbimet e së cilës gjithashtu financoheshin nga këngëtari, sipas burimeve.
Çifti filloi të dilte bashkë në fund të vitit 2022 dhe kohët e fundit kishin marrë me qira një shtëpi në Wellington, Florida, vetëm disa javë para se Payne të pësonte një rënie fatale nga një ballkon hoteli në Buenos Aires, Argjentinë, më 16 tetor.
Pas vdekjes së tij, shtëpia e tyre me pesë dhoma gjumi, që kushtonte 9,950 dollarë në muaj, u nxor sërish në treg në fund të tetorit, raportoi TMZ.
Më herët këtë javë, Cassidy u pa duke u larguar nga një apartament në Londër, ku kishte qëndruar pas humbjes së Payne. Në fotot e publikuara nga Daily Mail, ajo duket e pikëlluar teksa një mik e ndihmon të ngarkojë bagazhet përpara kthimit të saj në SHBA.
“Kate ka para të sajat, kështu që nuk është se do të mbetet pa asgjë. Sigurisht që nuk ka aq sa Liam, por nuk është pa të ardhura,” tha një mik i afërt i Cassidy për Page Six.
“Ajo fiton para përmes partneriteteve në rrjetet sociale. Jeta e saj nuk do të jetë më e njëjtë si kur ishte me Liam, por ajo do t’ia dalë.”
Megjithëse testamenti i Liam Payne, që përfshin pasuri prej miliona dollarësh, nuk është bërë publik, miku siguroi se Cassidy nuk do të kërkojë asnjë qindarkë nga trashëgimia e tij.
“Ajo thotë se nuk do të kërkojë asgjë nga pasuria e tij, sepse nuk ishin të martuar dhe ai ka një djalë,” u shpreh miku, duke iu referuar Bear, djalit 7-vjeçar të Payne me këngëtaren angleze Cheryl.
“Sigurisht, vdekja e Liam sjell një pengesë financiare, por trishtimi i saj nuk ka lidhje me paratë — ajo është e pikëlluar që ka humbur Liam. Paratë nuk kanë rëndësi në krahasim me këtë. Por ajo do të duhet të lëvizë, të rimarrë veten dhe të gjejë një vend të ri ku të jetojë teksa shërohet.”