Parashqevi Simaku është takuar me aktivistin dhe biznesmenin shqiptar Elton Ilirjani dhe gjatë një interviste për Top Channel, Ilirjani ndau detaje prekëse nga ky takim i shumëpritur.
Sipas Ilirjanit, Simaku u gjet në një situatë të vështirë, e lënë jashtë në rrugët e New York-ut. “Ishte një moment magjik, jam i emocionuar. Diva jonë ishte e mrekullueshme, e bukur si gjithmonë. Kishte vite që e kërkoja dhe falë zonjës Elvira, e cila është nga Shqipëria, arritëm ta takonim. Ajo kishte nevojë për dashuri, një dashuri që ia dhamë me gjithë zemër,” tha ai.
Pas takimit, Simaku u akomodua në një hotel, ku do të qëndrojë për tre javët e ardhshme, derisa të merret një vendim mbi hapat e ardhshëm në bashkëpunim me familjen dhe komunitetin shqiptar.
Ilirjani mohoi zërat se Simaku nuk kishte dëshirë të kontaktonte me shqiptarët. “Ajo nuk kishte mbështetje. Nuk është e vërtetë që nuk donte ndihmë. E arritëm ta bindim të vijë me ne dhe t’i sigurojmë strehim,” tha ai.
Ilirjani zbuloi gjithashtu se Simaku, pavarësisht sfidave, vazhdon të këndojë. “Ajo na surprizoi duke kënduar jazz. Kërkoi të kemi një darkë të bukur së bashku dhe të flasim për muzikën. Simaku është idhulli im, një diva e pakrahasueshme e Shqiptarisë.”