Kader Kicaj ka reaguar publikisht për herë të parë ndaj situatave që lidhen me Lumbardh Salihun, duke ndarë detaje dhe mesazhe private në një postim në Instagram. Ajo shpjegon arsyet e heshtjes së saj të deritanishme dhe akuzon Lumbardhin për manipulim dhe përfitime personale në kurriz të saj.
“Prej shumë kohësh kam zgjedhur heshtjen, edhe pse vazhdimisht jam përmendur në intervista. Heshtja nuk ka qenë mungesë fjalësh, por një zgjedhje e vetëdijshme për të kursyer personin në fjalë – jo për ndonjë arsye tjetër, por për një fije respekti për të kaluarën tonë,” shkruan Kaderi.
Ajo thekson se respekti i saj nuk është reciprocitet nga ana e Lumbardhit dhe e akuzon atë se po e përdor për përfitime personale. “Por kur ky respekt nuk është reciprok dhe për hir të pak vëmendjes apo përpjekjeve për të shpëtuar një imazh të lëkundur, dikush zgjedh të më përdorë si mjet për manipulim, heshtja bëhet pafuqí,” vijon ajo.
Në mesazhet e publikuara nga Kaderi, përfshihet një urim për ditëlindjen nga ana e Lumbardhit, të cilin ajo e konsideron si një tentativë për manipulim publik. “Së fundmi, më dërguan një video – një tjetër episod viktimizimi dhe gënjeshtrash të hapura. Nuk është hera e parë, por duhet të jetë hera e fundit,” thekson ajo.
Kaderi nuk ndalet me kaq dhe kritikon ashpër sjelljen e Lumbardhit, sidomos duke marrë parasysh pretendimet e tij për të qenë një figurë publike me aspirata politike. “Dikush që pretendon të hyjë në politikë dhe të fitojë besimin e njerëzve, nuk mund të lejojë vetes të ndërtojë rrugën e tij mbi gënjeshtra, edhe për gjëra bazike, si një urim ditëlindjeje,” shkruan ajo.
Në përfundim, Kaderi i drejtohet hapur Lumbardhit, duke kërkuar që ai të ndalojë së foluri për të: “Mund të më kesh gënjyer mua, por mos gënje publikun duke vazhduar të flasësh mbi emrin tim. Boll është boll!”