“Është e tmerrshme që mashtruesit shfrytëzojnë lidhjen emocionale që fansat kanë me të famshmit.” Kjo ishte deklarata e një zëdhënësi të Brad Pitt për 'Entertainment Weekly', pasi një grua franceze u bë viktimë e një mashtrimi të pabesueshëm online, duke humbur 850,000 dollarë dhe duke shkatërruar martesën e saj, për shkak të mesazheve të rreme që pretendonin të ishin nga aktori dhe imazheve të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Si ra Anne në kurthin e mashtruesve
Anne, një dizajnere 53-vjeçare nga Franca, ndau historinë e saj në programin televiziv Seven to Eight në kanalin TF1. Ngjarja filloi me një mesazh në Instagram nga një përdoruese që pretendonte të ishte nëna e Brad Pitt.
“Ajo më tha se djali i saj kishte nevojë për një person si unë,” shpjegoi Anne. Pas kësaj, një tjetër llogari, që prezantohej si aktori, filloi ta kontaktonte atë. “Në fillim mendova se ishte një gjë e rreme, qesharake,” tha Anne. “Por nuk jam eksperte e rrjeteve sociale dhe nuk e kuptova çfarë po ndodhte.”
Mashtruesit ndërtuan një histori të detajuar dhe bindëse: Brad Pitt, për shkak të një bllokimi të llogarive bankare si pasojë e divorcit me Angelina Jolie, kishte nevojë për fonde për të përballuar trajtimin e një tumori në veshka. Për ta bërë historinë më të besueshme, ata i dërguan Annes foto të modifikuara dhe imazhe të krijuara nga inteligjenca artificiale, që tregonin aktorin në një shtrat spitali.
E bindur se ishte Brad Pitt-i i vërtetë, Anne transferoi një total prej 850,000 dollarësh tek mashtruesit. Madje, ajo divorcoi burrin e saj për këtë marrëdhënie të rreme. “Isha e dashuruar me burrin me të cilin chatoja,” pranoi ajo. “Ai dinte si të fliste me një grua.”
E vërteta doli në dritë kur Anne mësoi nga mediat për marrëdhënien reale të aktorit me partneren e tij të re, Inés de Ramon. E vetëdijshme se ishte mashtruar, ajo bëri denoncim në polici. “Pyes veten pse më zgjodhën mua për të më bërë kaq shumë keq,” tha ajo me hidhërim. “Nuk i kam bërë asnjë të keqe askujt. Këta njerëz meritojnë ferrin.”
Rasti i Anne nuk është një episod i izoluar. Në shtator të vitit 2024, Ministria e Brendshme spanjolle arrestoi pesë mashtrues që përdorën një llogari të rreme me emrin e Brad Pitt për të mashtruar dy gra me një shumë prej 350,000 dollarësh. Nuk është e qartë nëse ka lidhje mes rasteve franceze dhe spanjolle, por këto histori tregojnë përhapjen e fenomenit të mashtrimeve online që shfrytëzojnë fytyrat e njohura të Hollywood-it.
Rasti i Anne ka tërhequr një vëmendje të madhe mediatike, por gjithashtu ka shkaktuar tallje masive në rrjetet sociale. Si pasojë, TF1 vendosi të heqë episodin e Seven to Eight për të mbrojtur Anne nga sulmet e mëtejshme kibernetike. Kanali gjithashtu zbuloi se Anne po përballet me një depresion të rëndë pas kësaj ngjarjeje.