Pas valës së protestave kundër rritjes së çmimeve në rajon, edhe në Kosovë po shqyrtohet mundësia e bojkotit të marketeve të mëdha si një formë reagimi ndaj abuzimeve me çmimet. Përfaqësuesit e konsumatorëve kërkojnë ndërhyrje urgjente, ndërsa qytetarët ankohen për pagat e ulëta dhe shpenzimet e larta që po rëndojnë ekonomitë familjare.

Qytetarët thonë se fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm dhe se produktet bazë janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta.

“Çmimet janë dyfishuar. Nëse e krahasojmë me disa vite më parë, fuqia blerëse ka rënë deri në 60%. Për shembull, një burek që dikur kushtonte 70 cent, sot shitet për 1.40 euro,” u shpreh një qytetar për RTK.

Një tjetër qytetar propozoi bojkotin si zgjidhje: “Në Kroaci e bënë dhe pati efekt. Duhet të veprojmë njësoj.”

Kjo lëvizje është mbështetur edhe nga shoqata “Konsumatori”, e cila ka paralajmëruar bojkot nëse deri më 10 shkurt institucionet dhe bizneset nuk marrin masa për uljen e çmimeve. “Nëse nuk reagojnë, protestat do të përshkallëzohen,” tha përfaqësuesi i shoqatës, Elatin Kaçaniku.

Bojkoti si formë presioni nisi në Kroaci, ku qytetarët refuzuan të blejnë në supermarketet kryesore. Pas një jave, rrjeti më i madh i marketeve, Konzum, uli çmimet e 250 produkteve, ndërsa qeveria vendosi kufizime të reja për 70 produkte të tjera.

Frymëzuar nga ky sukses, bojkoti u përhap edhe në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnje dhe Slloveni. Qytetarët atje po shmangin blerjen e produkteve specifike ose ndalojnë tërësisht konsumin për një ditë të tërë.

Në Kosovë, çmimet e bukës, drithërave, kafes dhe produkteve të tjera bazë kanë shënuar rritje të ndjeshme. Indeksi i çmimeve të konsumit në vitin 2024 është 1.6% më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Deri tani, Kosova nuk i është bashkuar zyrtarisht nismës rajonale, por një grup në Facebook ka nisur diskutimet për organizimin e bojkotit.

Mbetet të shihet nëse presioni qytetar do të detyrojë tregtarët dhe institucionet të marrin masa për stabilizimin e çmimeve.