Shkolla private "Turgut Ozal" ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se alarmi ka rezultuar i rremë dhe se situata është nën kontroll, e qetë dhe në bashkëpunim të plotë me Policinë e Shtetit.
"Shkolla njofton të gjithë prindërit, nxënësit dhe dashamirët se situata është nën kontroll, e qetë dhe në bashkëpunim të plotë me policinë e shtetit. Janë marrë të gjitha masat e sigurisë sipas protokollit në raste emergjence, pavarësisht se lajmi rezultoi i rremë. Falënderojmë Policinë e Shtetit për gadishmërinë dhe profesionalizmin! Falënderojmë të gjithë stafin e shkollës si dhe prinderit tane për korrektësinë dhe bashkëpunimin!", thuhet në njoftimin e shkollës.
Alarmi për bombë u ngrit pasi një mësuese kujdestare u ka nisur një mesazh prindërve të nxënësve të shkollës private "Turgut Ozal”. Në mesazh shkruhet se në shkollë është dërguar një email dhe duhet që nxënësit të largohen për në shtëpi. Më pas policia e Tiranës njoftoi se rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.