Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovski, ka konfirmuar në një konferencë për media se 51 persona kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu në diskotekën “Puls” në orët e para të mëngjesit në Koçan. Më shumë se 100 persona të tjerë janë të plagosur dhe po marrin trajtim në spitale të ndryshme në vend.

Sipas Toshkovskit, trupat e viktimave do të dërgohen në Shkup për autopsi pas identifikimit. Ministri deklaroi se zjarri filloi kur fishekzjarret u aktivizuan rreth orës 2:30 të mëngjesit dhe flakët u përhapën menjëherë në të gjithë lokalin.

Si nisi tragjedia?

Hetimet ende vazhdojnë, por raportimet e para nga mediat lokale sugjerojnë se zjarri është shkaktuar nga mjetet piroteknike të përdorura gjatë performancës së grupit maqedonas ADN. Sipas dëshmive, shkëndijat goditën tavanin, i cili ishte i ndërtuar me material shumë të ndezshëm, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi. Toshkovski tha se shumë nga viktimat humbën jetën nga tymi i dendur, ndërsa të tjerët u dogjën nga flakët.

Në momentin e shpërthimit të zjarrit, në diskotekë ndodheshin rreth 1,500 persona, duke e bërë situatën edhe më të rëndë. Për shpëtimin e të plagosurve, autoritetet angazhuan dhjetëra ambulanca nga Shkupi, si dhe një helikopter të Ministrisë së Brendshme.

Arrestime dhe përgjegjësi

Ministri i Brendshëm konfirmoi se organizatorët e eventit janë arrestuar dhe theksoi se të gjithë zyrtarët përgjegjës duhet të ndiejnë përgjegjësi morale për këtë tragjedi.

Këngëtari i grupit ADN, mes të plagosurve

Pas zjarrit tragjik, është raportuar se këngëtari i grupit ADN, Vlladimir Blazev-Panço, ka pësuar djegie në fytyrë dhe dorë. Sipas familjarëve të tij, ai ndodhet në spital në mbështetje oksigjeni për shkak të tymit të thithur gjatë ngjarjes.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar shkaqet e sakta të tragjedisë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të atyre që mund ta kenë lehtësuar këtë katastrofë.