Marija Taseva, 20-vjeçarja që i mbijetoi tragjedisë së rëndë në diskotekën e Koçanit, ka rrëfyer momentet e tmerrit kur zjarri përfshiu lokalin, duke lënë dhjetëra viktima dhe të plagosur.Në një dëshmi tronditëse për mediat vendase, ajo tregoi se ndërsa përpiqej të largohej nga diskoteka, ra përtokë dhe u shkel nga turma që po vraponte drejt daljes.

"Të gjithë filluan të vrapojnë jashtë. Të gjithë përpiqeshin të shpëtonin veten. Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital. Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”.

Ndërkohë, babai i saj ka konfirmuar se nuk kanë asnjë informacion për vajzën tjetër, 25-vjeçaren, e cila është zhdukur që nga momenti i tragjedisë.

Zjarri në diskotekën e natës në Koçan ka shkaktuar një bilanc të rëndë, me 59 viktima dhe mbi 100 të plagosur. Policia ka arrestuar disa persona si të dyshuar, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë hedhja e mjeteve piroteknike.