Një ngjarje e tmerrshme ka tronditur Maqedoninë, pasi një zjarr shkatërrues në një diskotekë në Koçan, Maqedonia e Veriut, i ka marrë jetën 59 personave, mes të cilëve edhe anëtarëve të grupit të njohur hip-hop DNK dhe stafit të tyre. Midis viktimave ishin këngëtari Andrej Gorgievski, bateristi Gjorgi Georgiev, pianisti Filip Stevanovski dhe fotografi i grupit, Aleksandar Efremov, i cili i shoqëronte në pothuajse të gjitha koncertet e tyre. Tragjedia u thellua edhe më shumë me humbjen e Sara Projkovskës, një mbështetëse e grupit dhe profesoreshë, si dhe kitaristit Aleksandar Kolarov.
Andrej Gorgievski, një nga themeluesit e DNK-së, u plagos rëndë nga zjarri. Sipas dëshmive të pranishmëve, ai u pa për herë të fundit duke u kthyer në diskotekë për të shpëtuar të rinjtë që ndodheshin brenda, një akt heroik që fatkeqësisht i kushtoi jetën. Vetëm pak momente para tragjedisë, Filip Stevanovski dhe Gjorgi Georgiev kishin ndarë në rrjetet sociale momente nga performanca e tyre, duke treguar gazin dhe energjinë që i karakterizonte, pa e ditur se do të ishte performanca e tyre e fundit.
Grupi DNK, i themeluar në fillim të viteve 2000 nga Vladimir Blazev – Panço dhe Andrej Gorgievski, është një nga emrat më të rëndësishëm të hip-hop-it dhe R’n’B-së në Maqedoni. Muzika e tyre, që kombinonte tekstet emocionale me tinguj modernë urbanë, ka prekur breza të tërë dhe ka adresuar tema të ndryshme si dashuria, jeta e përditshme dhe sfidat e të rinjve.